Aktualitet dhe Lajme

Të përfituara nga trafiku i drogës, Prokuroria e Fierit sekuestron 6 pasuri të tjera të Saimir Taullaut

Share

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestron gjashtë pasuri të tjera të dyshuara të shtetasit Saimir Taullau, i dyshuar për prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike si dhe lidhjeve të tij familjare.

Dyshohet se këto pasuri e kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit Saimir Tuallau, konkretisht nga veprat penale të parashikuar nga nenet 283 dhe 283/a të Kodit Penal.

“Mbi bazën e ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar dhe po kryen hetime për procedimin pasuror penal nr.1, viti 2024, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Saimir Taullau , si dhe të afërmve të tij dhe personat fizikë, konkretisht shtetasve A.T., F. T, M.T., E.T., V.T. dhe K.T, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë e tyre zotërohen në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Saimir Taullau”, njofton Prokuroria.

Dyshohet se këto pasuri e kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit S.T., konkretisht nga veprat penale të parashikuar nga nenet 283 dhe 283/a të Kodit Penal.

Në vijim të hetimit të këtij procedimi pasuror, mbi bazën e ankimit të prokurorit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin nr.1918, rregj.themeltar, datë 21.05.2024, ka vendosur masën parandaluese me karakter pasuror, të sekuestrimit edhe për 6 (gjashtë) pasuri të tjera në emër të shtetasve A.T. e V.T., si më poshtë:

  1. Pasuria nr. 1/527, ZK 8572, vol. 25, fq. 96, ndodhur në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnje, e llojit “truall”;
  2. Pasuria nr. 104/44, ZK 3268, vol 2, fq, 182, ndodhur në Savër, Lushnje, e llojit “arë”, me sipërfaqe 15,323 m2;
  3. Pasuria nr. 857/28, ZK 2087, vol. 8, fq. 193, ndodhur në Karbunarë e Poshtme, Lushnje, lloji “arë”;
  4. Pasuria nr. 151/2+1-10, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji “apartament”, me sipërfaqe 128 m2;
  5. Pasuria nr. 102/22-16, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji apartament me sipërfaqe 96.17 m2; dhe
  6. Pasuria nr. 104/81+2-21, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji “apartament”, me sipërfaqe 105.57 m2.

Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 14 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, nga prokurori është nxjerrë urdhëri i ekzekutimit, i cili u është dërguar menjëherë për ekzekutim shërbimeve të policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë, si dhe Agjencisë Shtetëror të Kadastrës, Drejtoria Rajonale.

Kujtojmë se një muaj më parëProkuroria e Fierit njoftoi sekuestrimin e  pasurive të biznesmenit Saimir Taullau dhe të afërmëve të tij pasi këto pasuri vijnë nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike.

Pasuritë si truall, objekte biznesi, karburante dhe bodrume janë në pronësi të biznesmenit Saimir Taullau, por disa prej tyre menaxhohen  dhe perdoreshin nga disa të afërm të tij.

 Në vitin 2018 Saimir Taullaut iu bë atentat me armë zjarri tek rrethrrotullimi i Plugut në Lushnjë. Ai u qëllua me automatik para lokalit të tij nga disa persona me motor dhe të maskuar. Plumbat prekën vetëm xhamin e lokalit, ndërsa Taullu mbeti i plagosur lehtë.

Saimir Tauulau është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë.

Saimir Taullau, për shumë njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali. Ndërsa në Lushnje familja Taullau njihet si rivale e bandës së Aldo Bares.

Në vitin 2005, Baki Taullau u vra ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij kur ka dëshmuar, ka akuzuar si autorë të vrasjes pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.

Konflikti dyshohet se ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen deri në vlerën 500 mijë euro duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.

Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button