
Të paktën 14 persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë humbur jetën pas një sulmi me dronë në qytetin Al-Damazin, në juglindje të Sudanit. Nga bombardimi, që dyshohet se u krye nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), mbetën të plagosur edhe 15 persona. Sipas një burimi mjekësor në spitalin e Al-Damazin, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë AFP, dronët goditën tre banesa fqinje të martën në mbrëmje, duke shkaktuar viktima në mesin e banorëve, përfshirë fëmijë.
Ndërkohë, organizata Lawyers of Emergency, e cila dokumenton shkeljet dhe dhunën gjatë konfliktit në Sudan, raportoi se numri i viktimave nga sulmi mund të jetë 19. Një burim ushtarak sudanez deklaroi se Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë kishin shënjestruar zonat e banuara të Al-Damazin duke përdorur disa dronë. Dhuna është përshkallëzuar ndjeshëm në shtetin e Nilit Blu, në kufi me Etiopinë, ku forcat paraushtarake kanë intensifikuar ofensivën. Sipas Kombeve të Bashkuara, luftimet kanë detyruar më shumë se 100 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre.
https://twitter.com/SudanTribune_EN/status/2125517542185697341/video/2
