VIDEO/ Persona të armatosur marrin peng 30 persona në një supermarket në Kolumbi, lirohen disa prej tyre! Pamje nga vendngjarja

Share

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin turistik të Kartagjenës në Kolumbi, ku persona të armatosur kanë marrë peng klientë dhe punonjës të një supermarketi të rrjetit “Éxito”

Sipas mediave të huaja, autorët kanë mbajtur fillimisht peng 30 persona, ndërsa gjatë operacionit të policisë disa prej tyre janë liruar. Sipas deklaratës së fundit të presidentit kolumbian, Abelardo de la Espriella, 20 persona vijojnë të mbahen peng brenda ambienteve të supermarketit.

Në vendngjarje janë angazhuar rreth 500 efektivë të policisë dhe forcave të armatosura, ndërsa në qytet kanë mbërritur edhe forca speciale për të menaxhuar situatën. Presidenti pritet të shkojë në vendin e ngjarjes, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes.

Sipas kreut të shtetit, pengmarrja lidhet me një tentativë të dështuar për grabitjen e një automjeti që transportonte para. Policia ka bërë të ditur se përparësi absolute mbetet siguria dhe jeta e personave që mbahen peng.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht raportimet se autorët kanë kërkuar 7 miliardë pesos kolumbiane, ose rreth 2 milionë dollarë, në këmbim të lirimit të pengjeve.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen disa persona me duart e lidhura, të ulur në karrige pranë xhamave të supermarketit, ndërsa pas tyre qëndrojnë persona të armatosur.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh edhe te familjarët e personave të marrë peng, të cilët thonë se nuk kanë marrë ende informacion të qartë për fatin e të afërmve të tyre.

Nga ana tjetër, Policia Kombëtare e Kolumbisë ka përgënjeshtruar raportimet për persona të plagosur brenda supermarketit, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos shpërndajnë informacione të pakonfirmuara.

Kryebashkiaku i Kartagjenës, Dumek Turbay, deklaroi se janë aktivizuar të gjitha protokollet për menaxhimin e situatës dhe shprehu besimin te forcat e sigurisë.

Për shkak të operacionit, përkohësisht ishin pezulluar edhe uljet e avionëve në aeroportin ndërkombëtar “Rafael Núñez”, por më pas aktiviteti i tij është rikthyer në normalitet.




starnews.al

Reklama
Back to top button