PërditshmëriPolitikëShqipëria

Starton nesër debati politik, Parlamenti i ri do të mblidhet dy herë brenda ditës, ja çfarë parashikohet

Share

Ditën e nesërme pritet të mbahet mbledhja e parë ku do të konstituohet parlamenti i ri. Nesër 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtarisht të kësaj legjislature.

Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do e ketë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.

Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Burime për ‘BalkanWeb’ mësojnë se seanca e dytë do të nisë në orën 17:00.

Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.

 

 

NJOFTIM PËR MEDIA

Të nderuar kolegë,

Ju njoftoj se mbledhja e parë e legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë̈ do të zhvillohet ditën e premte, datë 10.09.2021, ora 10:00.
Procedurat e transmetimit do të jenë të njëjtat me ato të seancave të mëparshme: makinat do të hyjnë dhe sinjalin do ta marrin nga RTSH, gjithashtu do jetë dhe në transmetim live në faqen ëeb dhe FB të Kuvendit.

Ju lutem, kujdesuni që të jenë vetëm makinat që janë të akreditura.
Ju informoj se duke qenë se janë ende në fuqi masat për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, nuk është e mundur që gazetarët dhe kamerat të hyjnë në sallë, por do të lejohen vetëm në oborrin e Sallës së Seancave Plenare, në vendin e caktuar për shtypin.
Me rastin e fillimit të Legjislaturës së X të Kuvendit dhe sesionit të parë të kësaj Legjislature, uroj të kemi një bashkëpunim të suksesshëm.
Zyra e Shtypit dhe shërbimet e Kuvendit do të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e tyre për të rritur transparencën e bashkëpunimit me median, në mënyrë që publikut e qytetarëve t’u ofrojmë informacion të plotë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mund të më shkruani për çdo nevojë për mbështetje apo sqarim.
Faleminderit!

Balkanweb

Një kafe nga ju!

Back to top button