Aktualitet dhe Lajme

“Sot e mundëm Ramën”. A është e vërtetë?

Share

Në fjalimi që mbajti për militantët e mbledhur poshtë shtëpisë së tij, me rastin e vendimit të Gjykatës së Apelit  që i riktheu vulën shumicës së cilës i takonte, Sali Berisha e përshkroi këtë ngjarje si një humbje për kryeministrin Rama. “Edi Rama sot flet me vete, ai sot nuk fle”, i tha kreu i PD militantëve, duke falenderuar për këtë akt tre gjykatëset që morrën vendimin se grupimi i Lulzim Bashës nuk mund të ishte pjesë e procesit, në rolin e ankuesit, në sagën për vulën. 

Edhe të pranishmit e tjerë që morën fjalën e konsideruan vendimin e sotëm si fitore ndaj regjimit, në një nga betejat me të. “A do të ishim ne në këtë ditë, nëse nuk do të ishin mbushur sheshet në mitingjet e mëdha dhe në protestat e tjera?! E pamundur. Regjimi thjesht u mund në një nga betejat e shumta” i tha të pranishmëve analisti Artan Hoxha.

LEXO ME TEJ:

Andi Bushati: Çfarë fshihet pas “dhurimit” të vulës 

Ndërsa gjatë një inteviste për emisionin Task Force të Sonila Meços, numri 2 pas Berishës, Flamur Noka u shpreh: “merr fund e gjithë loja e Edi Ramës dhe regjimit për të mbajtur peng forcën tonë politike. Zëri i demokratëve më në fund u dëgjua, në oazin e drejtësisë politike u pa që ka filiza që lindin mbi rrënjët e së drejtës dhe jo mbi politikë. Dhe kjo e dëshmoi këtë sot. U referohem të treja zonjave gjyqtare që shqyrtuan këtë vendim dhe treguan që në këtë oaz politik të drejtësië politike ka dhe filiza që rrënjët i kanë te ligji dhe jo te urdhrat”.

Pra, po të të rekesh të kuptosh qëndrimin politik të PD-së pas kësaj ngjarjeje ai është i tillë: Atij që ata e konsiderojnë regjim, i ka ndodhur një incident, i kanë shpëtuar tre gjyqtare të ndershme dhe të pa kapuara, që kanë bërë drejtësinë e vërtetë.

Ata bëjnë sikur harrojnë se askush nga sekserët e mazhorancës nuk është parë këto ditë pranë apelit të Tiranës dhe zërat për një trysni politike kanë munguar. Ata gjoja nuk e vënë re se, që pasi Gjykata e Lartë e riktheu çështjen, duke kërkuar përjashtimin e seksionit Basha- Alibeaj si palë, sinjali ishte dhënë. Ata nuk duan të kuptojnë se, për herë të parë në sagën mbi dy vjeçare të këtij procesi, përfaqësuesi i ambasadës amerikane nuk e pa të arsyeshme të ishte prezent në sallë.  

Të gjitha këto “përkime” mund të bëjnë të mendosh edhe për një hipotezë tjetër: Se çështja e mbajtjes peng të vulës u bë aq diskredituese, sa ai që PD e etiketon si regjim, ka vendosur të përdorë armë të tjera brenda sistemit të drejtësisë për të luftuar opozitën. Ky version duket më i besueshëm kur mendon se në regjim nuk mund të ketë incidente të rastësishme.

Vendimi/ Demokratët i gëzohen vulës, Berisha zyrtarisht kryetar i PD

Pra opozita, para se të dalë me linjë politike për këtë çështje, duhet ti japë përgjigje një dileme: ose jemi në një sistem autokratik me drejtësi të kapur, ose kjo nuk është e vërtetë dhe prandaj në sallat e gjyqit mund të jepet edhe drejtësi. PD kësaj dileme nuk i ka dhënë ende përgjigje. Dhe për ironi të fatit, kreu i saj, që shpalli sot mposhtjen e Ramës përmes tre gjykatseve, e kumtonte këtë nga ballkoni i izolimit, ku pretendon se e ka mbyllur kryeministri, përmes mashave të tij në drejtësi.

©Lapsi.al

 



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button