SIKUR LULËZIM BASHA TË NGJITEJ NË KORAB!
Nga Abdurahim Ashiku
SIKUR LULËZIM BASHA TË NGJITEJ NË KORAB!
Fejton
Shkruar në ditën me tre dysha e tre zero
Lulëzim Basha u pa kësaj fundjave në një ekspeditë në malet veriore të vendit, në një “ekspeditë alpine nga Valbona në Theth”.
Dhe është befasuar si të befasohej një holandez që ngjitet për herë të parë atyre bukurive të pashoqe.
Siç duket edhe “holandezi fluturues” yni nuk paska qenë asnjëherë në jetën e tij për të zbuluar “natyrën aty si një mrekulli të papërshkrueshme”
Ka pozuar edhe ka përcjellë në publik vetveten duke zbuluar se “nuk ka vend më të bukur se Shqipëria prandaj duhet kthyer në një bekim për çdo shqiptar”.
Unë Valbonën e kam parë, herët, para pesëdhjetë vjetësh, kur isha 21 vjeç. E kam parë, kam mbushur grushtet me ujë qelibar, madje, me që ishte korrik, edhe jam kredhur mes tallazeve. Jam ngjitur edhe në Razmë…
Por më shumë jam ngjitur maleve të vendlindjes, nga bjeshkët e Korabit dhe të Gramës, tek liqenet e Kacnisë dhe të Lurës, bjeshkëve të Kallkanit, të nëntë malet e Dibrës dhe luginës madhështore të Drinit të Zi nga Fusha e Gjoricës tek Ura e Dode në Reç.
E kam jetuar (dhe nga larg e jetoj nëpërmjet fotove të shumta) si një mrekulli të jashtëzakonshme që me gjithë përpjekjet e mija nuk kam arritur ta përshkruaj.
Lulëzim Basha ka thënë në kohë fushatash elektorale se “jam dibran”. E ka thënë me zë pak të ngjirur, jo të fortë siç e thonë dibranët me rrënjë e degë.
Lulëzim Basha në fundjavë, në natën më të shkurtë të vitit, në datën me tre dysha e me tre zero ishte në Valbonë e në Theth.
Në të njëjtën kohë meteorologjike Edi Rama ishte në jug, në vendlindjen e të parëve të tij. Ishte me një “sihariq”. Do të çante Karaburunin dhe me një tunel do të shkonte në Palasë për…dhjetë minuta. Dhe do ta bënte “me forcat e veta” ashtu siç do të bëjë “me forcat e veta” Skavicën, mbytjen e Dibrës…
Njeri (Edi) donë ta zhdukë bukurinë e bukurisë dibrane, luginën madhështore të Drinit të Zi. Përgjithnjë. Pa marrë frymë dibranët e pa iu dhënë rrugë në theqafjen e jetës së tyre…
Mbase ka menduar që në dalje të tunelit të Karaburunit faqes së malit deri në bregdet, mbi tarraca shkëmbore të ndërtojë vila për dibranët…
Afërmendsh! Mos e merrni për të vërtetë…
Kot ia futa…
Për karshillëk, nga ato karshillëqet e përditshme që i shohim natë për natë në ekranet e vegjël satelitorë e në portale Lulëzim Basha këtë fundjavë duhet të ishte ngjitur në majën e Korabit, të kishte pirë ujë tek ai burimi në krye të bjeshkës së Panairit, të zbriste në Fushë të Korabit për ti rënë rrëzës së malit tonë më të lartë, rrugës që takon burimet e bjeshkës së Preshit uji i të cilëve shkon deri në Peshkopi, të vijojë Bjeshkës së Shehut për tu ngjitur në Bjeshkën e Gramës. Të ulej në Bjeshkën e Zonjave ku të pyeste barinjtë nga vjen ky emër, të kundronte liqenin artificial të Gramës dhe të pyeste se kush ishte Gani Tuçepi që e ndërtoi…
Prej Grame lugina e Drinit të vjen e bukur deri në madhështi.
Edhe prej Zimuri, mbi Shimçan ku thuhet se i kanë pas trojet të parët e tij…
Edhe prej Hynoske ku ka disa pëllëmbë bjeshkë zonja në koalicion…
Edhe prej Tajani që mban në sup Lurën e bukurive tashmë në lëngim…
Edhe prej Runje…
Nuk i kap dot të gjitha këto Lul “Dibrani”…
Nuk e detyroj, por një gjë ia them, jo si kryetar partie, as si kryeministër i ardhshëm që mbase-mbase i takon të mbyllë saraçineskën dhe të mbysë Dibrën, por si Dibran (po qe se është): Të ngjitet mbi Korab, të vështrojë luginën e Veleshicës deri tutje pas bashkimit me Drinin e Zi deri në Reç, të ngjitet në Gramë për të kapur si në një tablo me ekran të gjerë tërë bukurinë dhe madhështinë e Luginës së Drinit të Zi dhe të vikasë…
“NUK KA VEND MË TË BUKUR SE LUGINA E DRINIT TË ZI, KY BEKIM PËR ÇDO SHQIPTAR DUHET TË JETOJË ASHTU SI E KA KRIJUAR ZOTI”.
JO SKAVICËS! JU THËRRET LULËZIM BASHA!
Jalla lema…
Abdurahim Ashiku
Shkruar në ditën me tre dysha e tre zero
Athinë, 20 qershor 2020