Aktualitet dhe Lajme

Shtyhet gjyqi ndaj ish-presidentit Trump për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve

Share

Një gjykatëse federale shtyu zyrtarisht gjyqin që do të mbahej në mars ndaj ish-presidentit Donald Trump, me akuzat se u përpoq të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ndërkohë që një apelim i rëndësishëm i tij vazhdon të mbetet pa përgjigje në një gjykatë apeli.

Gjykatësja Tanya Chutkan vendosi anulimin e gjyqit të caktuar për në 4 mars, për padinë e paraqitur nga prokurori i posaçëm Jack Smith, por nuk përmendi caktimin e një date të re.

Kjo shtyrje çel tashmë mundësinë që të vazhdojë punimet një tjetër gjyq në Nju Jork, me akuzat për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë. Ky është gjyqi që është perceptuar si me rrezikshmërinë më të vogël ligjore, nga katër çështjet gjyqësore me të cilat përballet zoti Trump, ku ndër të tjera akuzohet për mbajtjen dhe përdorimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara, apo komplotin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Kjo shtyrje në Uashington u njoftua ndërsa një gjykatë federale e apelit ende nuk ka vendosur për kërkesën e zotit Trump ku shprehet se ai gëzon imunitet nga hetimi për veprimet që ndërmori kur ishte president. Nuk është e qartë se kur mund të marrë vendim trupa gjyqësore e përbëre nga tre gjykatës, por nëse vendimi është në favor të vazhdimit të hetimeve të prokurorisë, atëherë pritet një tjetër apelim nga ekipi ligjor i zotit Trump, duke sjellë kështu shtyrje të mëtejshme.

Për të dyja palët, momenti kohor është shumë i rëndësishëm. Ish-presidenti Trump, i cili përballet me katër procese gjyqësore dhe 91 akuza penale, kërkon t’i shtyjë çështjet gjyqësore ndërkohë që gëzon statusin e kandidatit kryesor për president në garën brenda Partisë Republikane. Ndërkaq ekipi i prokurorit Smith shpreson në realizimin e një procesi përpara zgjedhjeve të nëntorit. Nëse zoti Trump rizgjidhet ndërkohë që çështja gjyqësore vazhdon, ai teorikisht mund të udhërojë Departamentin e Drejtësisë të tërheqë akuzat dhe mund të falë veten.

Çështja gjyqësore në Uashington pritej të shtjellohej e para, por u shty me javë të tëra për shkak të apelimit nga zoti Trump bazuar tek pretendimi se ka imunitet nga hetimet, ide që kundërshtohet me forcë nga ekipi i prokurorit Smith. Gjykata e apelit dëgjoi argumentat më 9 janar dhe u duk se priti me skepticizëm pozicionin e marrë nga avokati i zotit Trump. Sidoqoftë, gjykata nuk ka marrë vendim, megjithëse u shpreh se do të punonte me shpejtësi.

Gjykatësi në çështjen e Nju Jorkut, e para nga katër aktakuzat e ngritura kundër zotit Trump vitin e kaluar, i ka rezistuar prej kohësh kërkesave të mbrojtjes që ta shtyjë datën e fillimit të gjyqit, 25 marsin, për shkak të konfliktit me datën e gjyqit në Uashington, duke menduar se kalendari ligjor i ish-presidentit mund të ndryshojë me afrimin e datës së gjykimit.

Zoti Trump do të rikthehet në gjykatë në Manhattan më 15 shkurt për një seancë paraprake ku pritet të qartësohen detajet përfundimtare. Të gjitha shenjat tregojnë se çështja e Nju Jorkut do të fillojë në kohë. Avokatët dhe prokurorët kanë diskutuar procedurat e përzgjedhjes së jurisë me gjyqtarin dhe disa dëshmitarë kanë thënë se u është kërkuar të jenë gati të dëshmojnë.

Çështja e Nju Jorkut përfshin hapat që pretendohet se zoti Trump ka marrë për të fshehur pagesat që janë bërë në emër të tij për të shmangur historitë e dëmshme ndaj tij përpara fitores në zgjedhjet e vitit 2016 përballë demokrates Hillary Clinton, pra për regjistrimin e tyre si shpenzime ligjore. Një vendim fajësie do t’i jepte zotit Trump një emërtim tjetër historik si ish-presidenti i parë i dënuar për një vepër penale, duke komplikuar ndoshta edhe fushatën e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi sidoqoftë nuk do ta bënte të sigurtë një dënim me burg.

Kritikët e zotit Trump dhe zyrtarët e fushatave zgjedhore të kandidatëve rivalë kanë kritikuar prej kohësh faktin që padia e prokurorit të Qarkut Manhattan, Alvin Bragg, ishte e para, duke besuar se ajo ndihmoi në zbutjen e pasojave politike të akuzave më serioze që pasuan, pasi votuesit humbën interesimin ose u hutuan nga rastet e panumërta.

Prokurori Bragg e ka shmangur emërtimin si çështje “të parave për të blerë heshtjen”, duke preferuar javët e fundit ta përshkruajë atë si një rast tjetër “ndërhyrjeje në zgjedhje” të zotit Trump – megjithëse, ky rast përfshin manovra në prapaskenë gjatë fushatës së parë të zotit Trump për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016.

Ndërkohë, ish-presidenti Trump përballet me dhjetëra akuza për vepra penale në Florida për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago. Kjo çështje është caktuar për gjykim më 20 maj, por sërish mund të shtyhet. Një padi tjetër në Xhorxhia, e paraqitur nga prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, e akuzon atë për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në atë shtet në vitin 2020. Nuk është caktuar ende data e gjykimit për këtë çështje.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button