Rruga e Arbrit përballet me bllokime të shpeshta, punimet për rivitalizimin e skarpateve tek “Shkalla e Tujanit” po ecin ngadalë
Rruga e Arbrit vazhdon të përballet me bllokime të shpeshta në qarkullimin e automjeteve, si në drejtim të Dibrës ashtu edhe drejt Tiranës. Segmenti i njohur si “Shkalla e Tujanit” vetëm disa kilometra larg daljes nga Tirana, është kthyer në një pikë kritike, ku qarkullimi shpesh bëhet i pamundur për shkak të rënies së gurëve dhe inerteve.
Në nëntor të vitit 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) alokoi rreth 10 milionë euro për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në këtë zonë. Sipas kontratës, punimet duhej të kryheshin brenda 18 muajve, me një afat përfundimi në qershor të vitit 2024. Fitues i kontratës u shpall bashkimi i kompanive “Ante-Group – FERRO BETON-CONSTRUCTION CO – BILGIN TAAHHUT INSAAT MADENCILIK SANAYI VE TICARET LTD.”
Një shtesë prej rreth 20 milionë euro për “rivitalizimin e skarpatave” në Plan të Bardhë dhe Shkallën e Tujanit u përfshi mbi kontratën fillestare për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Ndërsa në Planin e Bardhë punimet konsiderohen të përfunduara, në Shkallën e Tujanit ato po ecin me një ritëm shumë të ngadaltë.
Për më tepër, segmenti ku kryhen punimet ka pësuar dëmtime të mëdha në peizazh, ku një pjesë e shpatit të malit po shfrytëzohet edhe si gurore, duke e degraduar më tej mjedisin.