Aktualitet dhe Lajme

Rezoluta e PS kundër korrupsionit/ Berisha: Hajduti betohet që nuk do vjedhë më

Share

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta për pasuesin e tij, Edi Rama gjatë fjalës për mbështetësit e tij që mblidhen çdo mbrëmje poshtë banesës së tij. Ai e akuzoi Ramën, si njeriu që ka ndërtuar sistemin më të tmerrshëm të vjedhjes që kanë njohur shqiptarët duke e quajtur hipokrizi rezolutën e miratuar nga mazhoarnca kundër korrupsionit.

“Sot gjithë ditën hajdutët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria dhe kombi përdhosën parlamentin me betimin e tyre të rremë se nuk do të vjedhin më. Edi Rama dhe hajdutët e tij ministra sot menduan se me një rezolutë gjethe fiku do mashtrojnë shqiptarët dhe BE-në se ata hoqën dorë nga vjedhja e qytetarëve shqiptarë.

E vërteta është se në doktrinën e vjedhjes ka një ligj: hajduti sa më shumë ka vjedhur, aq më shumë kërkon të vjedhë. Ai nuk ngopet kurrë! Edi Rama, siç e dini, u bë kryeministër i denoncuar nga OSBE në raport se ka vjedhur dhe fshehur në bankat offshore 200 milionë euro” – tha Berisha.

Ai tha se Rama dhe familjarët e tij kanë shumëfishuar pasurinë.

“U garantoj se këto 10 vite, së paku janë shumëfishuar disa herë këto 200 milionë. Edi Rama vetëm me djegësin e Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit ka vjedhur së paku gjer tani 200 milionë euro bashkë me Erion Veliajn të Tiranës. Edi Rama me firmën e tij po grabit 1 milion e 400 mijë metër katrorë tokë truall publik në qytetin e Durrësit, në të cilin ai me Alabarin e tij merr përsipër të ndërtojë Dubai City-n dhe të bëhet vetë miliarder.

Edi Rama është kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë, i cili do firmosë për çdo banesë dykatëshe dhe për çdo kullë 60-katëshe që ndërtohet në Shqipëri. Te kullat e ka shpirtin se aty rëndom thonë se tani merr 30% në xhep. Edi Rama me firmën e tij u dha investitorëve strategjikë rreth 6 milionë metër katrorë tokë për resorte në të cilat vetë është aksionar së paku me 30%. Edi Rama është njeriu që me një shpejtësi të rrufeshme ndërtoi sistemin më të tmerrshëm të vjedhjes që kanë njohur shqiptarët.

Enturazhi, rrethi i tij familjar ndjek me lakmi si grabitqarë rrugën e tij. I vëllai merr me firmë të tij 37 mijë metër katrorë tokë publike dhe private për biznesin e tij. Thjeshtra fiton kompania ku punon dhjetëra e dhjetëra tendera dhe nuk deklaron siç do ligji asnjë qindarkë të saj. Sepse thotë ajo nuk është e familjes, paçka se ligji në mënyrë të prerë e njeh atë si anëtare të familjes, Edi Ramës dhe Linda Ramës. Po kështu baxhanaku qindra tendera” – tha ish-kryeministri.

Berisha komentoi edhe protestën që mbahet të martën para bashkisë së Tiranës duke kërkuar largimin e Erion Veliajt.

“Nesër është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme në historinë e demokracisë, e përpjekjes për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri. Për goditjen e armikut më të egër në historinë e shqiptarëve, kryehajdutit të Shqipërisë, Edi Rama dhe bashkëpunëtorit të tij, Erion Veliaj. Erion Veliaj, mos guxo të futesh nesër në bashki. Mos provoko qytetarët. Jep dorëheqje dhe largohu. Se hajdut si ti nuk ka njohur…

Thuaju pak qytetarëve të Tiranës pse duhej t’ia kaloje ndërmarrjen publike të mbetjeve privatit? Si mundet t’i jepje asaj, 3R-së dhe kushëririt të Redi Mollës tokë për landfill pa vendim të Këshillit Bashkiak? Kur ua dhe këtyre, Erion pse nuk e bëre me tender, por ua dhe nën dorë? Hajdut si ti nuk ka parë toka. Po marrëveshjen me Miloranzin e Veronës apo u bëre më këtë rast anëtar i Ndraghetës? Eko-Tiranën ia shite kompanisë së inceneratorit. Mashtrove publikisht se ka vendosur Këshilli për të financuar inceneratorin, në një kohë kur Këshilli nuk ishte mbledhur kurrë.

E kujt është ndërmarrja o hajdut që merr përsipër dhe paguan edhe paratë e Rakip Sulit? Heq fondin e arsimit dhe paguan 6 milionë euro për Bashkinë e Kamzës? Është e jotja, ndryshe nuk do e bëje kurrë një akt të tillë. Po për ty nuk ka ligj, ti i ke futur në thes me Zaman, me Krajë e të gjithë me radhë. Po 8 pikët që i dhe kompanisë tënde me Edi Ramën, pa u themeluar akoma?” – tha Berisha. ©LAPSI.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button