Rama mbledh në selinë rozë Kryesinë e PS-së
Këtë të martë, kryeministri Edi Rama, e ka nisur herët punën ku është shfaqur teksa hynte në selinë e Partisë Socialiste, aty ku pritet të bëhet një analizë mbi punën në terren të strukturave të degëve të PS-së në rrethe.
Mbledhja vjen pak ditë nga nisja e fushatës së re të anëtarësimeve në parti, si masë në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Po ashtu, mbledhja e Kryesisë vjen dhe një ditë pasi SPKA-u vendosi zyrtarisht nën akuzë Ilir Beqajn, njeriun e hartimit të programeve elektorale të PS-së në fushatat zgjedhore.
Mbledhja e grupit
Ndërkaq, një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, mblodhi grupin e PS-së në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Mbledhja zgjati rreth dy orë, ku kryeministri i ka njohur ligjvënësit socialistë lidhur me bisedimet me Rithemelimin për normalizimin e situatës në Kuvend.
Për mediat ishte Bledi Çuçi, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, i cili foli rreth kësaj çështje.
Çuçi ka refuzuar t’i quajë bisedimet marrëveshje dhe tha se; nuk mund t’i mohohej e drejta e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor.
“Nuk ka pasur marrëveshje por është tentuar dialog. Nuk do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme në Kuvend. Në komisionin e ligjeve, një mekanizëm dialogu për ligjet që duan 3/5 e votave”, u ka thënë Çuçi deputetëve. Ndërkohë është vendosur që Amnistia Penale të kalojë javën tjetër në Kuvend.