“Qenke veshur si për burg” – Çfarë ndodhi në gjyqin ndaj Salianjit, nga batutat me gazetarët te dridhja e duarve kur mësoi dënimin me burg
Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me 1 vit burg për çështjen “Babalja”.
Deputeti demokrat u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në Maj të vitit 2018.
Çfarë ndodhi sot?
Ervin Salianji mbërriti në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pak minuta përpara orarit zyrtar të seancës gjyqësore, gjatë së cilës do të njihej me verdiktin final për fatin e tij. Ai shoqërohej nga një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës.
Në përfundim të një procesi të zvarritur prej vitesh, ai u dënua me një vit burgim për dosjen “Babale”.
Salianji pritet të shkojë prapa hekurave, sapo të lëshohet urdhri i ekzekutimit të vendimit.
Pas një pritjeje disa minutëshe në ambientet e jashtme, Salianji hyri në sallën e gjyqit, ku shkëmbeu edhe batuta me gazetarët. “Qenke veshur si për burg”, i tha një prej gazetarëve. “Jam përgatitur”, ia ktheu Salianji.
Çfarë ndodhi në seancë?
Në nisje të seancës pati debate. Shkak u bë një vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda të asaj kohe që pushoi hetimet për trafik droge për Geron Xhafajn, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Mbrojtja e Salianjit argumentoi se vendimi nuk mund të administrohej si provë në këtë fazë ku ndodhet procesi pasi vendimi është sjellë me postë nga avokati i Xhafajt.
Madje kjo solli edhe reagimin e vetë Salianjit.
“Të vijë një vendim në këtë fazë, është e paligjshme”, u shpreh Salianji.
Kjo ka sjellë edhe reagimin e vetë trupës gjykuese që i kanë bërë thirrje Salianjit të bëjë kujdes me etikën.
“E vërteta është më e kujdesshme se etika”, iu përgjigj sërish deputeti.
Ndërkohë avokati i Geron Xhafajt theksoi se vendimi është sjellë në përputhje me ligjin.
Pasi u tërhoqën për 10 minuta në dhomën e këshillimit, gjykata shqiptoi verdiktin, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Pra, dënoi me një vit burg Ervin Salianjin.
Pas vendimit, gazetarët e pranishëm në seancë raportuan se Salianjit “po i dridheshin duart, po pinte ujë dhe po përpiqej të ruante qetësinë”.
Ervin Salianji doli më pas para medias dhe e cilësoi dënimin një sulm politik dhe hakmarrje nga Fatmir Xhafa.
Gazmend Bardhi akuzoi gjykatën se po dënon deputetët e opozitës padrejtësisht. “Të gënjen mendja se duke dënuar opozitën do shkosh në Gjykatën e Lartë”, u shpreh Bardhi, duke iu drejtuar trupës gjykuese.
Çfarë ndodh tani me Salianjin?
Pas vendimit do duhet që Ervin Salianji të shkojë në qeli pasi vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm.
Vendimi do t’i dërgohet komisariatit përkatës për ta marrë e për ta dërguar Salianjin në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Nga aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë se ku do të vuajë dënimin Salianji.
Ervin Salianji është deputet dhe ka imunitet, por çfarë parashikon ligji?
Neni 71, pika 2, shkronja dh, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Megjithatë pavarësisht kësaj, për t’i hequr imunitetin Salianjit duhet konfirmim nga Këshilli i Mandateve.
Për këtë duhet që të dërgohet në Kuvend vendimi dhe urdhri i ekzekutimit të dënimit.
Gjyqi “Babalja”
Në lidhje me këtë çështje, gjyqtari Artan Gjermeni i Gjykatës së Shkallës së Parë dënoi me 1 vit burg Salianjin më 18 dhjetor 2019. Për kallëzim të rremë u dënua me 2 vite burg edhe Fredi Alizoti, i cilësuar si dëshmitari i rremë në audiopërgjim.
Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babalja”, u dënua me 3 vjet e 5 muaj burg, për veprat penale kalim i paligjshëm i kufirit dhe kallëzim i rremë.
Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, Gjykata vendosi që dënimin me 6 muaj burg ta konvertonte me 100 orë punë. (Voxnews.al)
Huazuar nga skaproblem.al