fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Çfarë do të ndodhë me Salianjin pas vendimit të Apelit, sa mundësi ka të shmangë burgun

Share

Gjykata e Apelit dha sot vendimin përfundimtar për deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili ishte dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Faktit, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Apeli në lidhje me çështjen e njohur si “Babalja”. Vendimi është përfundimtar dhe i formës së prerë, por cilat janë procedurat që vijojnë.

Menjëherë pas zbardhjes së vendimit të shkurtuar, çështja i njoftohet prokurorit që ka ndjekur akuzën. Prokurori, pasi konstaton vendimin e gjykatës njofton Kuvendin. Më pas është Këshilli i Mandateve që për shkak të këtij dënimi duhet t’i heqë imunitetin Ervin Salianjit.

Pas vendimit të Këshillit të Mandateve, Kuvendi njofton Prokurorin për vendimin e marrë. Ky i fundit i drejtohet më pas policisë e cila kryen arrestimin dhe dërgon personin në vendin e vuajtjes së dënimit.

Procedura ligjore ka një rrugë të vetme ankimimi. Pala e dënuar i drejtohet Gjykatës së Lartë. Salianji mund t’i kërkojë asaj pezullimin e zbatimit të vendimit, që është një çështje që duhet të ndiqet me procedurë të përshpejtuar.

Gjykata e Lartë do të japë një vendim, por kjo nuk do të thotë që deri atëherë Salianji mund të shpëtojë nga burgu nëse prokurori ka njoftuar ndërkohë policinë. Në rast se Gjykata e Lartë pezullon vendimin për zbatim, Ervin Salianji nuk hyn në burg, por pret hapa të tjera ligjorë deri në gjykimin në themel të çështjes nga gjykata e lartë.

Në rast se Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin, Salianji duhet të bëjë 1 vit burg të plotë.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button