Aktualitet dhe Lajme

Presidenti Biden takohet me liderët e Polonisë, në një shenjë uniteti përballë agresionit rus

Share

Në një përpjekje për të shfaqur solidaritetin me Ukrainën në kërcënimin nga Rusia dhe për të diskutuar mbi rritjen e mundshme të fondeve për NATO-n përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Moska, Presidenti Joe Biden pritet të takohet të martën me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe Kryeministrin Donald Tusk.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë, vjen ndërsa Presidenti Biden vazhdon përpjekjet për të zhbllokuar ndihmën për Ukrainën që po pengohet nga republikanët e vijës së ashpër në Kongres.

“Udhëheqësit do të rikonfirmojnë mbështetjen e palëkundur për mbrojtjen e Ukrainës përballë luftës brutale pushtuese të Rusisë”, tha Shtëpia e Bardhë, duke vënë në dukje se tre udhëheqësit do të diskutojmë mbi samitin vjetor të NATO-s, që mbahet më 9-11 korrik në Uashington.

Ministri i Jashtëm polak Radislaw Sikorski, duke folur para takimit, i bëri thirrje kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson të lejojë votimin për fondet e Ukrainës, por zbuti tonin që kishte përdorur më parë duke thënë se zoti Johnson do të ishte fajtor nëse projektligji dështon dhe trupat ruse përparojnë.

“Nëse ndihma amerikane nuk miratohet … Ukraina mund të jetë në vështirësi dhe kjo mund të nënkuptojë përfundimisht nevojën për më shumë trupa amerikane në Evropë,” u tha ai gazetarëve.

Senati miratoi projektligjin që përmban 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën muajin e kaluar në një votim dypartiak. Zoti Johnson, një aleat i ish-presidentit Donald Trump, i cili është kundër ndihmës së mëtejshme për Ukrainën, ka refuzuar ta vendosë atë në rend të ditës.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tre udhëheqësit do të shënojnë gjithashtu 25-vjetorin e anëtarësimit të Polonisë në NATO dhe do të diskutojnë për “thellimin e marrëdhënieve të mbrojtjes, të cilat janë forcuar gjatë dy viteve të fundit që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë”.

Zoti Duda përgatiti terrenin për bisedimet, me një opinion të botuar në gazetën Washington Post, duke u bërë thirrje aleatëve të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes nga 2% në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke pasur parasysh që presidenti rus Vladimir Putin ka caktuar 30 % të buxhetit vjetor për ushtrinë për shkak të luftës.

“Kthimi në gjendjen e mëparshme është i pamundur. Ambiciet imperialiste të Rusisë dhe revizionizmi agresiv po e shtyjnë Moskën drejt një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n, me Perëndimin dhe si rrjedhim me të gjithë botën e lirë,” shkruante ai.

Kundërshtari republikan i zotit Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trump, i tha kryeministrit hungarez Viktor Orban se nuk do të jepte fonde për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë nëse ai fitonte në zgjedhje dhe se kjo do të përshpejtonte përfundimin e luftës, sipas një citimi të zotit Orban pas takimit me të.

“Ai nuk do të japë asnjë qindarkë në luftën Ukrainë-Rusi dhe për këtë arsye lufta do të ndalet”, tha zoti Orban për televizionin shtetëror të dielën vonë. “Po ashtu është e qartë se Ukraina e vetme nuk mund të rezistojë.”/VOA




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button