Presidenti Begaj përkujton dëshmorin e UÇK Indrit Cara në Kavajë, inaugurohet monumenti në nder të tij

Këtë të hënë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të “Dëshmorit të Kombit” Indrit Cara, në 26-vjetorin e rënies së tij në luftën për çlirimin e Kosovës.
Në këtë rast, u inaugurua monumenti kushtuar heroit nga Kavaja.
Presidenti vendosi një kurorë me lule në shtatoren e “Ushtar Kavajës” si shenjë respekti për sakrificën e Carës, i cili la jetën në frontin e luftës për lirinë e Kosovës.
Në fjalën e tij Begaj theksoi gjithashtu, vendosmërinë dhe atdhedashurinë e Indrit Carës, i cili la Anglinë për t’iu bashkuar luftës për liri, duke e cilësuar atë një simbol të guximit dhe frymëzimit për brezat e rinj.
“Ai lindi në Kavajë, por sot i takon Kosovës, i takon Shqipërisë, i përket shqiptarisë. Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar”, u shpreh Presidenti Begaj.
Duke e vlerësuar sakrificën e tij si një udhërrëfyes për të ardhmen, ai nënvizoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të amanetit të dëshmorëve për një komb të bashkuar dhe një Kosovë të fortë e të lirë.
Në vijim të ceremonisë, Presidenti Begaj, përmendi me nderim edhe figurat historike që udhëhoqën përpjekjet për çlirimin e Kosovës, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin dhe Adem Jasharin, ndërsa theksoi përgjegjësinë e politikës dhe shoqërisë për të ruajtur vlerat dhe idealet për të cilat ata luftuan.
Gjatë vizitës në Kavajë, Presidenti u prit nga kryetari i bashkisë, Fisnik Qosja, dhe zhvilloi një takim me të, ndërsa vizitoi edhe Muzeun Etnografik të qytetit, i cili është restauruar së fundmi.