Aktualitet dhe Lajme

Pesë skiatorë gjenden të vdekur në Alpet zvicerjane pas stuhisë në majën Matterhorn (fotot)

Share

Pesë skiatorë të stilit të lirë që ishin zhdukur në fundjavë në alpet zvicerjane, raportohet se kishin tentuar të ndërtonin një guvë dëbore për t’u mbrojtur nga stuhia por kishin ngrirë për vdekje para mbërritjes së ndihmës, thanë sot zyrtarët.

Grupi prej gjashtë skiatorësh ekstremë me moshë nga 21 deri në 58, ishin nisur të shtunën nga kampi Zermatt për të arritur në pikën Arolla, pranë malit Matterhorn.

Por fatkeqësisht ata ishin kapur nga stuhia e papritur në pikën Tete Blanche, që i kishte lënë të bllokuar në lartësinë rreth 3000 metra, sipas raportimeve.

Një prej tyre kishte bërë njoftimin te grupet e emergjencës pasditen e të shtunës por prej motit të keq helikopterët nuk mund të dislokoheshin.

Deri kur ata u arritën nga skuadrat e shpëtimit pasditen e të dielës, pesë nga gjashtë skiatorët kishin humbur jetën pranë mini-kampit Dent Blanche. Nuk ka asnjë gjurmë të personit të gjashtë të zhdukur dhe kërkimet vijojnë.

Anjan Truffer, kreu i grupit të kërkimit Air Zermatt tha për mediat zvierjane: “Pamja që gjetëm ishte e rëndë. Skiatorët kishin tentuar të ndërtonin një strehë për t’u mbrojtur nga erërat, por kishin ngrirë për vdekje”.

Christian Varone, kreu i policisë vendore të Valais tha se grupet e shpëtimit kishin bërë gjithçka për të arritur te skiatorët por u përballën me kushte shumë të vështira moti.

Disa herë ata ishin detyruar të ktheheshin prapa pasi erërat rrezikonin jetën e tyre.

“Era dhe dëbora ishin të forta, shikueshmëria e ulët dhe rreziku i ortekëve mund të vriste shpejt grupet e shpëtimit.

Policia nuk ka publikuar identitetin e të përfshirëve por mediat thonin se pesë prej tyre ishin vendas nga Valais dhe kishin lidhje fisnore me njëri-tjetrin ndërsa i gjashti ishte nga kantoni i Fribourg, shkruan Daily Mail.

Zermatt është një rezort i njohur malor për skiatorë e turistë nga e gjithë bota.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button