Aktualitet dhe Lajme

Pas hapjes në Serbi, “Russia Today” synon transmetimet e programeve të saj edhe në Bosnje

Share

Televizioni Russia Today ka paralajmëruar se do të fillojë transmetimin e programeve në gjuhën serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, me gjithë faktin se është nën sanksione perëndimore. Fillimi i mundshëm i transmetimeve mund të dëmtojë marrëdhëniet e Bosnjës me partnerët ndërkombëtarë, i tha programit në gjuhën boshnjake të Zërit të Amerikës ish ambasadori i Bosnjës në Rusi, Enver Haliloviç.

“Transmetimi i programeve të këtij televizioni vetëm sa do të ndërlikojë situatën politike në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nga ana tjetër kjo është tregues i marrëdhenieve ndërmjet Republikës Serbe dhe Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha ish ambasadori Haliloviç.

Russia Today i themeluar në vitin 2005 nga qeveria ruse, është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2022 për shkak të shpërndarjes së propagandës së Kremlinit për agresionin rus në Ukrainë. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë thotë se vendi ka harmonizuar dukshëm politikën e jashtme më atë të bllokut, por masat kufizuese janë ende temë e diskutueshme politike, që ka ngritur pengesa për zbatimin e tyre, përfshirë edhe transmetimet e medieve shtetërore ruse.

“Presim që Bosnja të bëjë më shumë për të pamundësuar përzierjen e jashtme dhe keqpërdorimin e informacioneve. Lejimi i transmetimit të propagandës në territorin e saj është në kundërshtim me këto përpjekje”, thonë në delegacionin e Bashkimit Evropian.

Elmir Sadikoviç, profesor i Integrimeve Evropiane në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë thotë po ashtu se transmetimet e një kanali rus në hapësirat e Bosnjës mund të dëmtojnë rrugën e saj evropiane.

“Jo rastësisht do të realizohet këto javë kur pritet që Këshilli Evropian të vendosë për hapjen e negociatave të Bosnjës me Bashkimin Evropian dhe në dritën qasjes së bllokut ndaj Rusisë do të jetë një hap prapa dhe me siguri kjo çështje do të shtrohet nga Këshilli Evropian”, tha profesori Sadikoviç

Kanali Russia Today në rusisht është i qasshëm në Bosnjë nëpërmjet operatorëve të caktuar kabllorë.

Vitin e kaluar kanali publikoi një dokumentar që mbron tezën për ekzistimin e Kalifatit në Bosnjë dhe radikalizmin fetar të myslimanëve si dhe mohon gjenocidin në Srebrenicë.

Ndikimi rus në Bosnjë është i dukshëm për shkak të lidhjeve të ngushta të presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik me presidentin rus Vladimir Putin.

Udhëheqësi nacionalist pro-rus Milorad Dodik ka bërë thirrje hapur për shkëputje të Republikë Serbe nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë ndaj tij për shkak të qasjes politike.

Konflikti i përgjakshëm në Bosnjë që u mori jetën mbi 100 mijë vetave mori fund në vjeshtën e vitit 1995 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Marrëveshja e arritur në Dejton çoi në krijimin e entitetit serb dhe atij boshnjako-kroat në Bosnje, që mbahen të lidhur nga institucione të dobëta qendrore.

Vendet perëndimore janë të shqetësuara se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në shkallë të gjerë në Ukrainë, të cilin Moska e nisi gati dy vjet më parë./VOA/




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button