NJË MESAZH MALLI E DASHURIE PËR SHABAN XHAJKUN
Nga Abdurahim Ashiku
NJË MESAZH MALLI E DASHURIE PËR SHABAN XHAJKUN
Nga Abdurahim Ashiku
– Ai iku si MBRET i kurorëzuar i Valles Popullore Dibrane
Emigracioni nga fugu siç fuget fara në toka djerrë; toka vendëse, toka të huaja.
Unë ika për tu fugë farë, e për tu tharë bimë në tokë të huaj…
Ai mbeti në Dibër për tu bërë MBRET i njërës prej vlerave më të mëdha të folklorit dibran, Valles Popullore Dibrane.
Kisha vite që nuk e kisha takuar, që nuk kisha qëndruar në këmbë për të pirë një kafe në atë qoshkun e ngushtë plot zhurmë e tym duhani të vendpunës së përbashkët.
Kisha vite që nuk isha ngjitur me të maleve të Pratit, Lurës, Sllatinës, Kalasë së Dodës…në ato udhëtimet veshur në të gjelbër e ngarkuar me pajime…
Kohë të vështira, kohë miqësish të mëdha që nuk i shkul asnjë mjet i kohëve moderne përveç mjetit primitiv të …vdekjes.
E “takova” në vitin 2007. E takova në Lushnjë në njërin prej udhëtimeve të mia në shoqëri të grupit lab të rapsodit emigrant Kastriot Lekdushi.
E takova në një fletëpalosje botim i Bashkisë së Lushnjës, në një fotografi poshtë së cilës shkruhej se ai ishte MBRET i Valles Popullore Shqiptare, MBRET i shpallur një vit më parë në festivalin tradicional të Valles Tipologjike, festival i cili zhvillohet çdo vit në sheshin qendror të Lushnjës.
U emocionova, u gëzova siç mund të gëzohet një njeri për një shok, për një vëlla, për një mik të shpirtit. E mora fletëpalosjen për të ma marrë (për ta parë) e për të mos e pasur kurrë pjesë të relikteve të mija në emigracion.
Një vit më vonë, po në të njëjtin festival do ta takoja fizikisht. Do ti bëja edhe një fotografi. Do të çmallesha për disa orë në një lokal të gjerë në bregdet, në plazhin e Divjakës. Tashmë në shoqëri me të, krah tij, ishte një MBRET tjetër i posa shpallur i Valles Popullore Dibrane, një djalë i ri që atë vit mbaronte studimet në Akademinë e Arteve, Besmir Aga…
Më pas, një ftesë nga Tuzi i Malit të zi në adresë të grupit lab të Kastriot Lekdushit, ideja e përbashkët për formimin e një grupi artistik në përmbajtje dhe me emrin “Na bashkoi isoja dhe çiftelia” më ktheu tek shoku im i vjetër, tek Shaban Xhajku.
Veli Vraniçi tek bisedonim në plazhin e Golemit ku ai vjen çdo vit me familje, ma ngrohu idenë, më dha edhe numrin e celularit të Shabanit. Veçse më tha se Shabani ka qenë i sëmurë, ka pas disa probleme me zemrën…
U lidha me të. Ai u lidh me dy shokët e tij, me Rifat Rokën e njohur të artit mbi telat e çiftelisë dhe me Xhaferr Shinin që nxirte nëpërmjet frymës së shpirtit dhe dridhjeve të gishtave magjitë e fyellit. U lidh edhe me MBRETIN e ri të valles Dibrane, me Besmir Agën…
Një skuadër e tërë mbretërish që do ta lakmonte kushdo…
Më njoftuan se do të jenë pjesë e grupit, pa asnjë lloj shpërblimi, me dëshirën dhe dashurinë e njeriut të artit, të atij artit popullor që nuk e nxjerr pazareve të rrugëve të ngushta të biznesit.
Kur u takuam në Laprakë në mëngjesin e 22 gushtit 2009 për të marrë rrugën drejt Tuzit në Mal të Zi, më tha në vesh, tek përqafoheshim, “Erdha për ty…”
E ndjeva veten të nderuar si asnjëherë në jetën time…
Në Vitojë, një vend i bukur në Tuz, midis një pëllëmbe natyrore ku nga çdo gisht rridhte uji i ftohtë që vinte nga shkrirja e dëborës në bjeshkët e Shqipërisë fare pranë kufirit, jetova çaste të mrekullueshme që nuk do ti harroj kurrë.
Isha në mes dy Mbretërish të Valles Popullore Dibrane, mes Shaban Xhajkut dhe Besmir Agës, Mbretërish të shpallur publikisht.
Isha edhe midis dy Mbretërish të Instrumenteve Popullore Dibrane, Mbretër të pashpallur, Rifat Rokës të Çiftelisë dhe Xhaferr Shinit të Fyellit.
Të pranishmit u mahnitën nga çiftelia dhe fyelli në duart dhe shpirtin e Shabanit, Rifatit dhe Xhaferrit…
Por mbi të gjitha u mahnitën kur Shabani do të sillte në skenë vallen e tij, “Vallen Shaban Xhajku” të Dibrës dhe Besmiri do të sillte vallen “Osman Taga” të Jugut.
Fotografitë që fiksova me aparatin tim amator janë një vlerë e kujtim i paçmueshme në arkivin tim, një pjesë të cilën (do të doja të gjithë) po i përcjell në nderim të Shaban Xhajkut.
Nga Tuzi do të largoheshim natën, për të arritur në Tiranë në të gdhirë të 23 gushtit 2009.
Shabani nuk pranoi të pushojnë pak orë në odën e shtruar me kujdes për katër vetë nga Erieta, nusja e djalit. Nuk donte ti zgjonte në atë orë gjumi të thellë mëngjesor…
…E pritëm dritën e mëngjesit tiranas duke pirë kafe në një lokal tek Zogu i Zi për tu përqafuar e uruar njeri tjetrin në udhëtime rrugëve ku na ka fugë jeta…
* * *
Në gusht të këtij viti, në bregdetin e Malit të Robit, ku tashmë pushoj në një shtëpizë të përbashkët me fëmijët e mi, takova Veli Vraniçin. E pyeta për Shabanin. Më tha se një ditë më parë kishte ikur për në Peshkopi. Më erdhi keq që nuk e takova të pinim një kafe e ti thosha dy fjalë zemre për nderin që më bëri një vit më parë, mua dhe grupit “Na bashkoi Isoja dhe Çiftelia”
Shaban Xhajku ishte dhe mbetet një MBRET jo vetëm i valles Dibrane por edhe i shpirtit popullor të asaj treve të lashtë të truallit shqiptar.
Nga larg i propozoj Bashkisë së Peshkopisë që ta shpallë Qytetar Nderi dhe një rruge të qytetit ti japë emrin “Rruga Shaban Xhajku”.
E meriton. Ai i dha artit të kërcimit në Dibër një emër të madh, emrin “Vallja e Shaban Xhajkut”, emër që atë e ka bërë artistikisht të Pavdekshëm.
Shënim: Tek i tregoja Kastriot Lekdushit të këngës labe në emigracion ikjen e Shaban Xhajkut, pashë ti mbusheshin sytë me lot.
Shaban Xhajku i kishte hyrë në shpirt. Mu lut që ti përcillja, bashkë me lotët e mi, ngushëllime familjes dhe të afërmve, shokëve dhe miqve, në Dibër e kudo ku janë.
Po e përcjell ngushëllimin dhe dhimbjen e gjerë për të nëpër të gjitha mjetet e mundshme të informacionit…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 tetor 2010
Në foto: Shaban Xhajku, Mbret i Valles popullore, në vallen “E Shabanit”, në Tuz të Malit të zi, mbajtur nga një Mbret tjetër i valles dibrane, Besmir Aga, fiksuar më 22 gusht 2009 nder i arkivit tim të gjerë fotografik