Aktualitet dhe Lajme

Nisja e “gjykimit special” në Hagë: Çfarë ndodhi në vitin 2023 e çfarë pritet në vitin 2024?

Share

Në Dhomat e Specializuara të Hagës, më në fund, në prillin e vitit 2023 startoi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Pas më shumë se 2 vjet e gjysmë në paraburgim, pa gjykim, procesi filloi në qytetin e Hagës.

Deri në fundin e vitit në proces janë dëgjuar 38 dëshmitarë. Në total, Prokuroria e Specializuar kishte parashikuar dëgjimin e rreth 300 dëshmitarëve. Megjithatë, kjo pritet të vendoset sërish nga trupi gjykues.

Si afat për mbylljen e rastit të saj, Prokuroria e Hagës e ka vlerësuar prillin e vitit 2025, raporton Nacionale.

Nisja e gjykimit në Hagë u përcoll me një marsh masiv që ndodhi në Prishtinë, e me një tjetër marsh në Hagë. Megjithatë, larg protestave, koha i mbeti betejës në gjykatë.

Gjithçka nisi me dhënien e fjalës hyrëse në prill ku Prokuroria e mbrojtja paraqitën dëshmitë e para fillestare të tyre.

Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, në fjalën hyrëse të tyre u deklaruan të pafajshëm. Kadri Veseli nuk kishte pranuar të mbajë ndonjë fjalim më të gjatë.

“Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim, lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Pa atë rezistencë gjithëpopullore sot Kosova s’do të ekzistonte fare. Qytetarët e Kosovës s’donin luftë, ata ishin të përcaktuar dhe kishin vullnetin për paqe. Lufta iu imponua. Ata bënë atë që do ta bënte çdo popull liridashës, për të mbrojtur familjet e tyre, fëmijët e tyre, vendin e tyre. Pra ne, Kosova, ishim në anën e drejtë të historisë”, tha Thaçi.

“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallëherë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia, gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris, unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por pavarësisht kësaj, unë sot qëndroj përballë jush, me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë sime”, tha Rexhep Selimi.

“Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha ‘Jakup nuk ka fitore’ pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte ‘çmimi i lirisë’. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre”, tha Jakup Krasniqi.

Deri më tash në Hagë ka pasur dëshmitarë shqiptarë të cilët janë përgjigjur para trupit gjykues. Pjesa më e madhe e dëshmive kanë qenë të mbyllura për publikun, çka ka shkaktuar reagime në Kosovë lidhur me transparencën.

Ka pasur ish-eprorë të UÇK-së të cilët kanë dëshmuar në Hagë siç është rasti me Rrustem Mustafën apo Sadik Haitjahën.

Ka pasur edhe dëshmitarë serbë të cilët pretendonin se janë ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ka pasur edhe ekspertë ndërkombëtarë siç është rasti me hulumtuesin e Human Rights Watch, Fred Abrahams, apo zyrtaren e OSBE-së, Sandra Mitchell. Secili prej të dyve në fakt, pranoi disa gabime në raportet që kanë hartuar.

Abrahams pranoi se është mbështetur në disa dëshmi të qeverisë e mediave të Serbisë, kurse Mitchell e pranoi se e kishte akuzuar UÇK-në për rastin Panda në Pejë.

Edhe këtë vit, krerët e UÇK-së e patën të pamundur lirimin nga paraburgimi, pasi të gjitha kërkesat iu refuzuan.

Madje, për një kohë atyre iu bllokuan edhe vizitat e telefonatat. Kjo me arsyetimin se Thaçi, Veseli e Selimi kanë treguar detaje të dëshmitarëve për vizitorë. Pas një pritje 10-ditore trupi gjykues mori vendim që të ketë disa kushte strikte për vizita, megjithatë ato u lejuan.

Si asnjëherë më parë, në vitin 2023, pati me dhjetëra, mos qindra, aksione e bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Nuk u kursyen as shtëpitë e familjarët e heronëjve si Fahri Fazliu, Zahir Pajaziti e të tjerë.

U bastisën edhe pothuajse të gjithë ish-këshilltarët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Atyre, pothuajse të gjithëve, iu morën edhe telefonat. Kjo me akuzat për pengim të drejtësisë dhe tentim-ndikimi në dëshmitarë.

Pikërisht nën këto dyshime pati edhe arrestime: u arrestuan Isni Kilaj, Haxhi Shala, Ismet Bahtijari e Sabit Januzi. Të gjithë u deklaruan të pafajshëm.

Përderisa katër u arrestuan me akuzat për pengim të drejtësisë, dy të tjerë u liruan gjatë vitit 2023. Fjala është për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn të cilët u liruan me kusht nga Gjykata Speciale e Hagës.

Gjatë qëndrimit në Hagë, ekipi i Nacionales intervistoi avokatin e Thaçit, Gregory Kehoen. I njëjti tha se mund të mos ketë nevojë të bëjnë mbrojtjen e tij, pasi Prokuroria nuk po paraqet asnjë provë. Ai tha se nëse veç vendosin të paraqesin prova, kanë emra të fuqishëm ndërkombëtarë që do të dëshmojnë në favor të Thaçit.

Po në Hagë, gjatë këtij viti u mor vendimi i Gjykatës së Apelit ndaj Salih Mustafës. Atij iu hoqën 4 vjet nga dënimi prej 26 vjetësh sa ishte fillimisht. Përkundër se nuk u gjet asnjë shkelje sipas panelit të apelit, vendimi i shkallës së parë ishte tejet i lartë dhe trupi gjykues kishte tejkaluar kompetencat.

Mustafa tash sipas ligjeve të Speciales, pritet të dërgohet në një shtet tjetër për ta vuajtur dënimin e shqiptuar.

Në Speciale gjykimi po vazhdon edhe ndaj Pjetër Shalës, ku së shpejti mbrojtja pritet të përfundojë pas marsit me paraqitjen e rastit të saj.

Numri i viktimave që janë pranuar të marrin pjesë në gjykimin e krerëve të UÇK-së është 143. /Besian Beha, nacionale/




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button