Aktualitet dhe Lajme

Nga burgu në Parlamentin Europian/ Ç’ndodh tani me Fredi Belerin

Share

Një kapërcim si ai i Fredi Belerit, nga qelitë e burgut të Fierit për në zyrat e Parlamentit Europian është i rrallë dhe vështirë se do të përsëritet për shumë kohë. Po kaq të pazakonta janë fitoret e tij nga burgu, herën e parë si kryebashkiak i Himarës në 12 Maj 2023 dhe hera e dytë si eurodeputet në 9 Maj të këtij viti.

I burgosur në Shqipëri për blerjen e votave me 40 euro copa, ai ka marrë më shumë se 237 mijë vota në Greqi, duke u renditur i katëri në mesin e 21 eurodeputetëve të zgjedhur për në Parlamentin Europian. “Fushata drejtohej nga djali i tij, Petros Beleri” ka shkruar media greke Ekathimerini.

Vetë Beleri ka dalë me një mesazh nga burgu, ku falenderon grekët që e zgjodhën dhe në veçanti kryeministrin Micotakis.

“Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket dhe Grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës” shkruan Beleri në mesazhin e tij.

Kryeministri grek nuk e ka lënë pas dore përfaqësuesin e partisë së tij në Parlamentin Europian. Pas fitores ai ka zhvilluar një telefonatë me të dhe e ka uruar për rezultatin. Por vota që i dhanë grekët dhe roli i rij që ka marrë si përfaqësues i tyre në organizmat ndërkombëtare duket se nuk do ta shkëpusë Belerin totalisht nga marrëdhënia me shtetasit shqiptarë, që sytë i kanë nga Greqia për çështjen e pronave. Reagimi i tij nga burgu vazhdon edhe me një mesazh për ata që i dhanë votën në 14 Maj për bashkinë e Himarës.

“Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, ka shkruar ai, duke lënë të paqartë se kë ka pasur në mendje kur i është referuar me “atdhe”, Shqipërinë apo Greqinë!!!

Në fakt, zgjedhja e Belerit në radhën e eurodeputetëve që do të përfaqësojnë Greqinë në Bashkimin Europian është pritur me fishekzjarre në Himarë. Mbështetës të tij kanë festuar me shpresë se tashmë çështja e pronave të tyre do të ketë një jehonë më të fortë në institucionet ndërkombëtare.

Për momentin, procesi i Fredi Belerit pritet të marrë verdiktin në Apel, ndërkohë që Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka shpallur fajtor për blerjen e votave në Himarë. Kandidati i opozitës për Himarën pasi mbështetje njëzëri nga politika greke. Para fushatës ai u takua me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis që erdhi posaçërisht për ta vizituar në Himarë.

Gjatë fushatës së 14 Majit, Fredi Beleri u sulmua ashpër nga kryeministri Edi Rama që e shndërroi kandidatin e opozitës për Himarën në shënjestrën kryesore të akuzave të tij.

Lexo edhe: Mitsotakis: E papranueshme si Shqipëria e trajtoi Belerin

Lexo edhe: Pasqyra e shtypit / Mediat greke të çmendura pas Belerit

Lexo edhe: Kathimerini në 10 pika/ Manipulimet më të mëdha të procesit Beleri

Fushata e sharjeve dhe sulmeve ndaj Belerit u kurorëzua me arrestimin e tij në një operacion të forcave speciale në Himarë që në bashkëpunim me prokurorinë e Vlorës përdorën një të infiltruar të paguar nga policia për ta burgosur dhe më pas për të montuar një proces gjyqësor që fuste ujë nga të gjitha anët.

Djali i Fredi Belerit në të majtë, kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis në të djathtë

Gjatë fushatës për Parlamentin Europian, të gjitha mediat greke i dhanë hapësirë kandidaturës së Fredi Belerit, i cili konsiderohet një lloj martiri që është sakrifikuar për të drejtat e minoritetit në Shqipëri. Burgosja e Belerit dy ditë para zgjedhjeve në Shqipëri, u shfrytëzua edhe nga kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis për të thithur votat e elektoratit nacionalist në Greqi në kushtet kur ofertat nga partitë e tjera të ekstremit të djathtë janë shtuar.

Gjatë ditëve të fushatës, kryeministri Kyriakos Mitsotakis mbante gjithnjë e më shpesh në krah të tij, Petro Belerin, të birin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Deri në mes të qershorit, Beleri do të jetë në pritje të vendimit të Apelit që me gjasë do të konfirmojë dënimin e tij. Në këtë rast, shkruan Zëri i Amerikës rregullorja e Parlamentit Europian parashikon që “përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit kryhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj”.

“Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Europian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare” shkruan Zëri i Amerikës.

Çështja “Beleri” shkaktoi një përplasje të fortë mes dy vendeve fqinje, madje Greqia bllokoi negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian pikërisht për kryebashkiakun e arrestuar. Vendimi i Apelit për Belerit pritet të jepet në 14 Qershor.

Fredi Beleri ka qenë një ndër të akuzuarit për vrasjet e oficerit të Postës Kufitare të Peshkëpisë Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini. Po ashtu, Beleri ka qenë i dënuar për ngjarjet e Himarës në vitin 2003, ku u dhunuan ndër të tjera edhe simbolet tona kombëtare. Beleri së bashku me katër persona të tjerë u dënuan për veprën penale “thyerje e simboleve kombëtare”. Por e shkuara e tij, nuk e pengoi opozitën shqiptare ta rendiste në listat e kandidatëve për kryetar bashkie./Lapsi.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button