fbpx
Lajme nga DibraPërditshmëriPersonaliteteShqipëria

Nga Abdurrahim Ashiku “JO SKAVICËS”!, “PO DIBRËS”!

Share
ËSHTË KOHA TA NGRINI NË QIELL ZËRIN PARA SE TË SHUHET DIBRA.
****Nga Abdurrahim Ashiku****
Një thirrje për akademikë dhe njerëz që e duan Dibrën…
Është disi tallëse dhe fyese, që në vitin e 100 vjetorit të çlirimit të Dibrës nga kthetrat serbe, diskutohet përmbytja e Dibrës! Me fjalë të tjera të fshihet e gjithë lufta e dibranëve dhe i gjithë gjaku i derdhur për mbrojtjen e kësaj toke të shenjtë.
Po, është çasti më i përshtatshëm, çast që nuk ju vjen më kurrë.
Është 100 vjetori i betejës historike të Lanë-Lurës, janë një zinxhir tubimesh jubilar në sallën e Akademisë së Shkencave, në sallën e Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” në Peshkopi, në Lurë., etj., etj.
Atje, duke nxjerr në pah heroikën dibrane në beteja kundër pushtuesit serb e serbo jugosllav duhet të ngrini zërin e ti thoni JO SKAVICËS!
Nga një shënim në adresën time elektronike mësoj se: “Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe shoqatën “Çidhna dhe Kastriotët” kanë vendosur organizimin e një Konferencë të madhe nacionale në sallën e Akademisë së Shkencave . Autorët e kësaj janë zgjedhur nga Akademia e Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike, si dhe studiues nga Dibra, Shkupi dhe Luma. Përveçse në Tiranë, konferenca do të zhvillohet edhe në Peshkopi, rreth datës 25-26 tetor 2021.”
Mes atyre që do të jenë organizatorë dhe do të flasin me kompetencë shkencore për këtë ngjarje të madhe historike janë edhe figura të larta akademike si Shaban Sinani, vendlindja e të cilit ka qenë një ndër istikamet e qëndresës së madhe dibrane, Prof. Dr. Adem Bunguri, deputeti Lavdrim Krrashi, Prefekti Nexhbedin Shehu, kryetari i Bashkisë së Dibrës Shkëlqim Murrja dhe figura të tjera që i bëjnë nder Dibrës dhe Shqipërisë.
Nga 1000 kilometra larg, për të mos mundur të ulem në një karrige “nga fundi i sallës”, i uroj këtij tubimi (shumë të vonuar) ta kap kohën e humbur dhe ti japë Dibrës meritën e mohuar historike, betejën e madhe që jo thjesht i hodhi serbo-jugosllavët në Drin por edhe i detyroi fuqitë e mëdha ta shpallin serbo-jugosllavinë agresore duke vendos përfundimisht kufijtë e Shqipërisë, kufij që kemi sot.
“Ndërsa kjo punë po ecën relativisht mirë, më shkruan Dr. Prof. Adem Bunguri jemi të shokuar nga lajmet e fundit mbi Skavicën, në të cilat shfaqet edhe znj. ambasadore e SHBA, si mbështetëse e këtij projekti ogurzi për Dibrën.
Ne këtu do të luftojmë me të gjitha mjetet demokratike për anulimin e HEC-it të Skavicës (ashtu siç u anulua HEC-i i Kalivaçit mbi Vjosë), por pala përballë nesh, ecën dhe vepron me dinakëri dhe cinizëm: para se të bisedojë me banorët dhe të marrë më parë miratimin e tyre, që në kushte normale s’ka gjasa ta marrë, në mënyrë arbitrare dhe arrogante, shkojnë dhe filmohen në pragun e Skavicës! Gjithashtu ka zëra që thonë se kanë futur midis popullit të Dibrës edhe “patronazthistë” që bëjnë politikë pro Skavicës!
Është disi tallëse dhe fyese, që në vitin e 100 vjetorit të çlirimit të Dibrës nga kthetrat serbe, diskutohet përmbytja e Dibrës! Me fjalë të tjera të fshihet e gjithë lufta e dibranëve dhe i gjithë gjaku i derdhur për mbrojtjen e kësaj toke të shenjtë!
Të shpresojmë se do ia dalim, për hatër të Dibrës, që duhet mbrojtur “by all means”!
Është çasti që pjesëmarrësit në këto tubime ta thonë fjalën e tyre me një peticion nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit, dibranë e të tjerë, ku ti kërkohet qeverisë shqiptare të heqë dorë nga mbytja e luginës së Drinit, luginë ku janë zhvilluar betejat më të mëdha historike të popullit shqiptar (18 nga 24 betejat fitimtare të Skënderbeut”, betejat pa pra kundër serbit e serbo-Jugosllavisë…), hambar i bukës dhe jetesës dibrane në shekuj.
Është fjala që deputeti që mori votën e Dibranëve Lavdrim Krrashi, ta çojë fjalën e dibranëve në Kuvend duke ngritë fort zërin kundër këtij krimi që po i bëhet Dibrës dhe Dibranëve.
Është fjala që drejtuesit e pushtetit vendor në Dibër të mos bëhen “patronazhistë” për mbytjen e Dibrës, shuarjen e saj përgjithmonë.
Është koha ti themi
“JO SKAVICËS”!, “PO DIBRËS”!
Në peticion vendoseni edhe emrin tim Abdurahim Ashiku, mërgimtar.
Nënshkrimin po e bëj publik.
Athinë, 8 tetor 2021
Back to top button