Mbi 90% shkalla e vaksinimit: Kosova pa raste të fruthit
Në Kosovë, aktualisht, nuk ka asnjë rast të fruthit, edhe pse numri i rasteve në vende të tjera të Evropës ka qenë në rritje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë se “nuk pritet të ketë ndonjë shpërthim të sëmundjes”, pasi shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër saj “është e lartë”.
“Kosova duhet të vazhdojë ta zbatojë suksesshëm Programin e Zgjeruar të Imunizimit, duke i vaksinuar fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit sikurse deri më tani”, thanë nga IKSHPK-ja për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një infeksion i shkaktuar nga një virus dhe, sipas OBSH-së, është një prej sëmundjeve më ngjitëse.
Ai shfaqet me skuqje në lëkurë – fillimisht me njolla në fytyrë dhe pas veshëve, që më pas përhapen në gjoks dhe shpinë dhe në fund në këmbë.
Simptomat tjera që e shoqërojnë fruthin, përfshijnë: temperaturë, koll të thatë, rrjedhje nga hunda, dhimbje të fytit e të tjera.
Infeksioni ndodh në faza, nga dy deri në tri javë.
Fruthi mund të parandalohet me vaksinim, por, në raste të caktuara, mund të jetë edhe sëmundje serioze ose fatale.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës konfirmojnë se nuk kanë asnjë rast të evidentuar me fruth.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se raste të tilla në këtë institucion nuk ka pasur që tre vjet.
Megjithatë, ai kujton se, vitin e kaluar, është regjistruar një rast i importuar, i cili është izoluar menjëherë.
“Masa më e mirë për parandalimin e fruthit është vaksinimi”, thotë Vishaj.
Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron, po ashtu, se “vaksinimi është mënyra e vetme për t’i mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje potencialisht e rrezikshme”.
Vaksina kundër fruthit, e njohur si MMR, jepet në dy doza – e para rreth moshës njëvjeçare dhe e dyta kur fëmija është rreth tre vjeç e katër muajsh.
Nga IKSHPK-ja thonë se shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Kosovë është mbi 90%.
“Gjatë pandemisë COVID-19 [2020/2021] ka pasur rënie të shkallës së vaksinimit sikurse në shtetet e tjera, por ajo është duke u rikuperuar”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së, pa u dhënë detaje të tjera.
Në Prishtinë, sipas të dhënave nga Qendra Kryesore e Vaksinimit, shkalla e vaksinimit në vitin 2022 ka qenë 76%, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 87%.
Doktoresha Florina Grezda, e cila punon në këtë qendër, thotë se interesimi i prindërve për t’i vaksinuar fëmijët e tyre, është i kënaqshëm.
“Ka raste sporadike që hezitojnë, mirëpo me një edukim të mirë shëndetësor, duke shpjeguar efektin e vaksinës, ne kemi arritur t’i bindim… Unë mendoj se jemi mirë sa i takon vaksinimit kundër virusit të fruthit”, thotë Grezda.
Në opinion kanë qarkulluar teori se vaksina MMR mund ta shkaktojë sëmundjen e autizmit, por institute të ndryshme ndërkombëtare, bazuar në studimet e veta, konfirmojnë se këto teori nuk qëndrojnë.
Elektra Abazi, nënë e një fëmije të moshës dy vjet e gjysmë, thotë se teoritë e tilla kanë ndikuar që ajo ta shtyjë vaksinimin e fëmijës.
“E kam pasur një dyshim të vogël… Djali para një viti ka nisur të flasë shumë mirë dhe ka kundërvepruar shumë mirë, por unë si nënë e kam pasur atë merakun… Kështu që do ta bëjmë [vaksinën]”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.
Nga të dhënat që arriti t’i sigurojë Radio Evropa e Lirë për vendet e tjera të rajonit, Shqipëria i ka 11 raste me fruth, Bosnje e Hercegovina tri, Mali i Zi dhe Serbia nuk kanë asnjë.
Si është situata në Evropë?
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se rastet e fruthit në Evropë, vitin e kaluar, kanë shënuar rritje alarmante për gati 45-fish.
Sipas OBSH-së, rreth 42.200 njerëz janë infektuar në vitin 2023, krahasuar me 941 gjatë gjithë vitit 2022.
OBSH-ja tha se beson se situata është rezultat i më pak fëmijëve të vaksinuar kundër sëmundjes gjatë pandemisë COVID-19.
Të gjitha vendeve në rajonin evropian iu kërkua t’i zbulojnë dhe t’u përgjigjen shpejt rasteve të fruthit, si dhe të vaksinojnë sa më shumë njerëz.
Normat e vaksinimit me dozën e parë të vaksinës MMR ranë nga 96% në vitin 2019 në 93% në vitin 2022 në të gjithë Evropën. Marrja e dozës së dytë, ndërkaq, ra nga 92% në 91%.
Sipas OBSH-së, pandemia COVID-19 “ndikoi ndjeshëm në performancën e sistemit të imunizimit në këtë periudhë”.