Aktualitet dhe Lajme

Mashtruesit e kredive në pranga/ Reflektim me vonesë nga guvernatori Gent Sejko

Share

Fillimi i një vale arrestimesh për mashtruesit e kredive të vogla nga Prokuroria e Tiranës ka detyruar guvernatorin Gent Sejko të ndryshojë qëndrim dhe të ndërmarrë një akt që kishte refuzuar ta bënte deri tani, duke u revokuar licencat dy kompanive.

Bëhet fjalë për revokimin e licencës së dy subjekteve financiare jobanka, të shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k. Në njoftimin për mediat, Banka e Shqipërisë thotë se vendimi u mor pasi “jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht”.

Në njoftim, Banka e Shqipërisë sqaroi kredimarrësit se do të dalë me një njoftim të dytë për klientët e këtyre dy kompanive për t’i informuar se çfarë do të ndodhë me pagesat e tyre.

Urdhër-arrestet për mashtruesit e kredive të vogla

Reflektimi i Gent Sejkos vjen pas 9 urdhër-arresteve të Prokurorisë së Tiranës për 9 persona nga subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, administratorë dhe përmbarues të tyre. Ata janë të dyshuar për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale”

Pesë prej tyre u lanë në burg Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti dhe Alban Kote. Katër të pandehur të tjerë u lanë në arrest shtëpie Kejda Seferi, Elda Ibro, Jorsida Dervishi dhe Alketa Tanushi.

Shoqëritë që përfshihen në hetime akuzohen se morën nga banka ProCredit 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro, por më pas “përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat”.

Subjekti MCA dyshohet se i ka detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e zotëronte po kjo agjenci.

Në një shembull që solli prokuroria e Tiranës në dosje, rezulton se një shtetasi iu sekuestruan nga njëra prej kompanitë MCA 14 pasuri të paluajtshme për një detyrim të prapambetur prej 3 mijë e 500 dollarësh. Edhe kompanitë e tjera, përmes mashtrimit shtonin interesat dhe i përfshinin klientët e tyre në një qerthull pagesash ku detyrimet shtoheshin vit pas. Në rast se nuk paguanin, kreditorëve u sekuestroheshin pasuritë e paluajtshme. Në disa raste, sekuestrot përfshin persona, që nuk kishin lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Reflektim i vonuar nga Gent Sejko

Kuptohet se revokimi i licencave të këtyre kompanive është një hap i vonuar, që mund të kthehet në autogol për mosveprimin e deritanishëm nga Banka e Shqipërisë. Nëse institucioni mbikqyrës i bankave do të kishte marrë masa më herët, situata nuk do të kishte mbërritur deri këtu, ku shumë kredimarrës kanë humbur pronat e tyre për kredi minimale.

Në një raportim para deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Gent Sejko mbrojti vendimi për pezullim licence për këto kompani mashtruese, por kundërshtoi revokimin e licencës së tyre.

Edhe pse denoncimet kishin kohë që ishin bërë publike në media, Sejko tha se revokimi nuk ishte zgjidhje, madje ai u shpreh i shqetësuar se do të krijonte “pritshmëri të gabuar te kredimarrësit se përmes pushimit të veprimtarisë kredidhënëse të subjektit, shuhet detyrimi për shlyerjen e kredisë. Kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila sjell rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, dhe rivendos në rrezik kursimet e qytetarëve, e rrjedhimisht, stabilitetin financiar të vendit”./Lapsi.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button