Aktualitet dhe Lajme

Masakra me 133 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në sallën e koncerteve! Ditë zie në Rusi, flamujt në gjysmë shtizë

Share

Më 24 mars në Rusi është shpallur ditë zie kombëtare, për të kujtuar viktimat e një sulmi në sallën e koncerteve në periferi të Moskës, në të cilin kanë mbetur të vdekur 133 persona.

Flamujt janë ulur në gjysmë-shtizë në gjithë vendin, derisa rusët vazhdojnë të dërgojnë lule të zonën afër sulmit.

Autoritetet kanë thënë më 24 mars se 154 persona janë plagosur në sulm, ndërsa të paktën tre fëmijë janë në mesin e të vrarëve.

Pajisje të rënda janë parë në zonën e incidentit, duke e pastruar zonën dhe duke larguar strukturat e rënda që janë shkatërruar.

Sulmi i 22 marsit është më i rëndi për Rusinë, prej vitit 2004, kur një sulmues pati marrë peng 1.000 persona në një shkollë në Beslan, dhe më pas 333 persona kanë vdekur, gjysma e tyre fëmijë.

Grupi militant, Shteti Islamik (IS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 22 marsit, kur katër sulmues të kamufluar kanë hyrë në sallën Crocus City dhe kanë nisur sulmet, teksa njerëzit kanë pritur nisjen e koncertit.

Rusia i ka arrestuar 11 persona që dyshohen se kanë pasur lidhje me sulmin, përfshirë katër sulmuesit e dyshuar.

Ministria e Brendshme e Rusisë ka thënë se katër sulmuesit e akuzuar janë shtetas të huaj.

Agjencia e lajmeve e lidhur me IS-in, Amak, e ka publikuar më 23 mars një fotografi me katër burrat që ka thënë se e kanë kryer sulmin.

Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se vdekjet janë shkaktuar si pasojë e të shtënave në sallë dhe asfiksisë, si pasojë e djegies së materialeve.

Sulmuesit kanë përdorur substanca ndezëse për të përhapur zjarrin në sallë, kanë thënë zyrtarët.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dënuar ashpër sulmin më 23 mars, duke e quajtur “sulm terrorist i përgjakshëm dhe barbar”, por nuk e ka përmendur përgjegjësinë që e ka marrë Shteti Islamik për sulmin.

Putin ka supozuar në përfshirjen ukrainase, diçka që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka hedhur poshtë.

Më 7 mars, Ambasada amerikane në Moskë, e ka paralajmëruar Rusinë që “ekstremistët” kanë plane të shpejta për të kryer një sulm në kryeqytetin rus.

Të njëjtën ditë, Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi, ka thënë se e ka parandaluar një sulm në një sinagogë në Moskë, që ishte planifikuar prej degës së IS-it në Afganistan, Shteti Islamik- Korasan.

Zëdhënësja e Këshillit të SHBA-së për Siguri Kombëtare Adrienne Watson, ka thënë sërish më 23 mars se Uashingtoni e ka paralajmëruar Rusinë në fillim të marsit.

Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov, ka thënë më 25 mars se asnjë informacion specifik nuk është ndarë me Moskën.

“Asgjë nuk na është thënë”, ka thënë Antonov për agjencinë shtetërore të lajmeve në Rusi, TASS.

“Asnjë informacion konkret, asgjë nuk na është transferuar”.

Pronari i sallës së koncerteve, Crocus Group, ka thënë më 24 mars se salla do të rindërtohet dhe do të rihapet.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button