Aktualitet dhe Lajme

Mandati i Fredi Belerit/ Përplasje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Share

Këtë të premte, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po diskutohet mbi mandatin e Fredi Belerit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Himarës.

Debati në KQZ pati në thelb nëse mandati i Fredi Belerit, duhej zgjidhur përmes ligjit të dekriminalizimit, apo përmes ligjit të organeve të qeverisjes vendore.

Avokatja e Fredi Belerit, gjatë mbledhjes së KQZ-së, tha se mungon shkaku juridik për tu vënë në lëvizje dhe për të diskutuar mbi mandatin e Belerit.

Gjithashtu, ajo tha se nuk jemi në kushtet kur KQZ mund të marrë një vendim, pasi kompetencat e këtij Komisioni janë vetëm mbi rastin e kandidimit apo të formularit të dekriminalizimit. Ajo pretendoi se janë institucionet e tjera ato që mund të marrin një vendim.

KQZ u vu në lëvizje për rastin Beleri pas një kërkese të kreut të FRESSH-it për Bashkinë e Himarës, që i kërkonte Komisionit që të shpallte zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Hiramës, pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që vendosi që Fredi Beleri të dënohej me dy vite burg.

Eridian Salianji, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, tha se përsa kohë kemi një vendim të Apelit, që është i formës së prerë, bazuar edhe te ligji i dekriminalizimit, Fredi Beleri nuk mund të ushtrojë funksionet publike.

“E vetmja çështje që mund të diskutohet është: a ka një vendim të Gjykatës së Apelit? Vendim të Gjykatës kemi, atëherë a është subjekt i ligjit të dekriminalizimit? Natyrisht që është dhe këtu mbyllet debati”, tha Salianji.

Ai u shpreh se nëse Fredi Beleri do e kishte marrë detyrën, atëherë Kryeministri apo Qeveria mund ta shkarkonte. Gjithashtu, Salianji theksoi se në rastin konkret ai nuk ka marrë zyrtarisht detyrën, pra nuk ka shkarkim, atëherë duhet të veprohet me ligjin për dekriminalizimin.

Ndërsa Ivi Kaso përfaqësues i PD-së në mbledhjen e KQZ, tha se ka një konfuzion lidhur me ligjin për dekriminalizimin dhe atij të organeve të qeverisjes vendore.

Po Fredi Beleri është subjekt i ligjit për dekriminalizimin. Fredi Beleri ka një mandat të dhënë nga KQZ, ka një mandat që njihet nga Gjykata, por nuk ka mundur ta ushtrojë për shkak të kokëfortësisë së institucioneve të tjera, përfshi edhe Kryeministrit. Beleri është një person i zgjedhur, nuk ka ushtruar mandatin, është i dënuar, por nuk aplikohet ligji për dekriminalizimin, por ai për qeverisjen vendore. Pra në rastin konkret duhet që Qeveria ta shkarkojë Fredi Belerin dhe mos e trajtojë si patate të nxehtë çështjen. Edi Rama të marrë përgjegjësinë, të thotë se Fredi Beleri është dënuar me vendim të formës së prerë dhe ta shkarkojë”, tha ai.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button