Aktualitet dhe Lajme

Lulzim Basha: Asnjë komplot kundër drejtësisë nuk pengon alternativën tonë në zgjedhje

Share

Në një intervistë televizive, Lulzim Basha, deklaroi sot se PD lindi si parti perëndimore euroatlantike dhe do të mbetet e tillë, sepse ky është interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Basha shtoi gjithashtu, se konspiracioni, sipas tij, mes Berishës dhe Ramës kundër drejtësisë dhe PD, nuk e pengon dot alternativën e forcës politike që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Bashës, koha i ka dhënë të drejtë atij, pasi çdo pohim që ka bërë mbi lëvizjet politike të Berishës është tashmë një realitet.

Kjo, sipas Bashës, pasi Berisha përdor demokratët për të mbrojtur pozitat e veta pas shpalljes “non grata” në përballjen me drejtësinë, duke u kthyer në asetin më të madh të Edi Ramës, që e përdor si gogol në çdo zgjedhje.

“Në çdo rast çdo konspiracion dhe komplot jo thjesht kundër demokratëve, por kundër shqiptarëve për t’iu mohuar një alternativë të vërtetë përballë kësaj qeverie të korruptuar, të dështuar, burim i fatkeqësive më të mëdha që kanë pllakosur shqiptarët në 34 vite tranzicion, ky konspiracion do të dështojë”, u shpreh Basha.

Duke iu referuar deklaratave të mëparshme, Basha tha se koha ka treguar pas 3 vitesh se gjithçka që ka paralajmëruar është vërtetuar.

“Berisha zgjodhi rrugën e gabuar për t’u përballur me problemin personal dhe në këtë mënyrë viktimizoi demokratët dhe u kthye në asetin politik kryesor të Edi Ramës. Sot Edi Rama nuk ka asnjë fabul, asnjë tregim, asnjë përrallë për t’i treguar shqiptarëve përveçse është kthyer te përralla e vjetër gogoli Sali Berisha. Dhe në këtë mënyrë është krijuar një tango për interesat e njëri-tjetrit dhe kundër interesave të shqiptarëve”, tha Basha.

I pyetur në lidhje me vulën dhe logon me të cilët do vijojë aksionin politik, Basha tha se kjo është gjëja më e parëndësishme.

“Ne do të gjejmë të gjitha mënyrat dhe format që kjo alternativë të jetë para shqiptarëve që të kenë mundësinë ta zgjedhin këtë alternativë. Kjo është e vetmja alternativë thelbësore, ndaj nuk do të futemi apo rifutemi në vorbullën kaq shumë të investuar të Edi Ramës, të logos, vulës, karrigeve, kjo është një lojë që e luajnë ata politikanë që duhet të shkarkohen me votë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Basha.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button