fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Kontrata koncesionare (PPP) e laboratorit del jashtë parashikimeve, financimet në rritje vit pas viti

Share

Në vitin e tretë të zbatimit kontrata koncesionare (PPP) e shërbimeve laboratorike po rezultuan e paparashikueshme në aspektin e financimit buxhetor.

Plani vjetor u rishikua ne mes te vitit 2022 me rritje 20% nga plani fillestar, por në tre vitet e ardhshme financimet do të rriten me tej.

Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2023-2025 që Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar në Ministrinë e Financave, parashikon që financimi i koncesionit të laboratorit të arrijë në 1,75 miliardë lekë në vitin 2024 nga rreth 1,7 miliardë lekë që është aktualisht, ndërsa në vitin 2025 financimi pritet të arrijë në një vlerë 1,85 miliardë lekë, ose rreth 10 për qind më shumë se financimi i pritshëm i këtij viti.

Ministria e Shëndetësisë argumenton rritjen e financimeve për koncesionarin me rritjen e numrit të analizave dhe rritjes së kostos për njësi të tyre.

Në vitin 2024 pritet që koncesioni i laboratorit të kryejë rreth 4,7 milionë analizat, nga 4.65 milionë analiza që priten të kryhen këtë vit. Numri i ekzaminimeve laboratorikë pritet të jetë në tendencë rritëse edhe për vitin 2025 me 4.75 milionë njësi. Kosto mesatare për një ekzaminim pritet të arrijë 389 lekë në vitin 2025, nga 365 lekë aktualisht, me një rritje 6%.

Parashikimet me rritje ekzaminimeve nga Ministria e Shëndetësisë po vjen në një kohë që numri i faktik i tyre ka qenë më rënie vitet e fundit sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm.

Për vitin 2022 në spitalet universitare në të cilat është i përqendruar shërbimi i koncesionarit numri i ekzaminimeve laboratorike ishte 2,5 milionë, nga 2,3 milionë që ishin në vitin 2021 me një rënie 5%. Rënia ishte edhe më fortë në spitalet rajonale.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos me 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.

Për periudhën 2020-2022 kompania ka marrë gjithsej pagesa nga buxheti i shtetit prej 2.74 miliardë lekë, nga të cilat 1.1 miliardë lekë në 2021 dhe 1.6 miliardë lekë në 2022, ndërsa këtë vit financimet pritet të arrijnë në 1,7 miliardë lekë dhe me 2025 ne 1.85 miliardë lekë./ B. Hoxha.

Burimi: Ministria e Financave (buxheti afatmesëm); *parashikim

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


Huazuar nga StartNews

Back to top button