Komisioni Hetimor thërret Ramën dhe Vilma Nushin për të dëshmuar për konçesionet në Shëndetësi (DOKUMENTI)
Anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për Sterilizimin, kanë paraqitur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit, i cili ka firmosur VKM-në për dhënien me konçension të këtyre shërbimeve, duke mbështetur e promovuar publikisht këto konçensione edhe pas fillimit të çështjes penale nga organet e drejtësisë.
Në dokumentin e publikuar, kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e zonjës Vilma Nushi, në cilësinë e pronares së dy kompanive, e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni.
Deputetët e opozitës kërkojnë paraqitjen e Vilma Nushit, e cila sipas tyre, është përfituese indirekte dhe direkte 1.5 milionë eurove nga dividenti.
Refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur si dëshmitarë z. Edi Rama dhe zonjën Vilma Nushi, për anëtarët e opozitës, është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.
“Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm Z. Edi Rama, por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si iniciues të këtij Komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë”, thuhet në dokumentet e publikuara.
Ndërkaq do mblidhet sot për të dytën ditë radhazi, komisioni hetimor parlamentar i “Sterilizimit” në pritje të një dëshmie të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Kjo pasi, mbledhja e ditës së djeshme, u mbyll pa asnjë dëshmi nga ana e ish-ministrit, edhe pse ai ndenji për rreth 7 orë e gjysmë në ambientet e sallës ku zhvillonte punimet komisioni, ose në ambientet e tjera të Kryesisë së Kuvendit.
Kanë qenë tensionet mes anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës mbi një kërkesë të Beqajt, për prezantimin me powerpoint të deklaratës para marrjes në pyetje, ato që çuan deri në dështimin e mbledhjes së djeshme.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, u shpreh se kërkesa e Beqajt për një deklaratë kontekstuale ndryshe, nuk është e drejtë pasi ai është njëlloj si dëshmitarët e tjerë, madje shtoi se konferencat me powerpoint, Beqaj duhet t’i bëjë gjykatë.
Ndërkohë, nënkryetari Plarent Ndreca, u përgjigj se me çdo kufizim që po i bëhet, po shkelet e drejta e ish-ministrit Beqaj dhe po i dhunohet e drejta.
Më pas, të tërë orët në vijim kaluan me debate mbi të njëjtën pikë, duke mos arritur në një dakordësi, derisa nënkryetari Ndreca propozoi shtyrjen e mbledhjes, pasi nuk ishte arritur asnjë rezultat.
Komisioni mblidhet sot në orën 10:30, pavarësisht se zoti Ndreca propozoi një orë më të hershme, duke pasur parasysh ritmin e punës në mbledhjen e djeshme, por kryetarja e komisioni zonja Vokshi ishte e angazhuar në një tjetër takim ndërkombëtar. Sa i përket rendit të ditës, ai është i njejtë me ato të mbledhjes të së martës.