Komisionet Hetimore, PS depoziton në Kuvend propozimet për ndryshime në ligj
Partia Socialiste ka depozituar një kërkesë për ndryshimin e ligjit për Komisionet Hetimore.
Lajmi u bë i ditur nga nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj. Sipas Felajt ishte e nevojshme që të rishikohej ligji, ndërsa shtoi se janë kujdesur që të analizojnë të gjitha praktikat më të mira ligjore.
Felaj: Gjatë ditës së sotme në emër të grupit të PS kam depozituar në Kuvend nismën për disa shtesa dhe ndryshime për funksionimin e Komisioneve Hetimore. Ky është produkt i një pune disa mujore, që në krye të herës është folur nga të gjithë anëtaret e Kuvendit, përfaqësues të opozitës apo mazhorancës. Nga të dy përfaqësuesit qoftë të mazhorancës qoftë të pakicës në përfundimet e raporteve për komisionin hetimor të inceneratorëve përfaqësuesit kanë kërkuar rishikmim të ligjit. I bëmë thirrje opozitës për rishikimin e ligjit për komisionet hetimore, por thirrja jonë ra në vesh të shurdhet sepse opozita ka mbetur të ai produkti i një anshëm pune. Jemi kujdesur që të analizojmë të gjitha praktika më të mira ligjore, të vendeve të rajonit dhe BE-së dhe jo vetëm sa i takon komisioneve hetimore. Ligji për komisionet hetimore është marrë për model ligji gjerman. Ligji gjerman nuk është marrë i plotë. Ka pasur mangësi të dukshme.
E pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e opozitës, Felaj tha se ka kërkuar që të jenë anëtarët e opozitës, por askush nuk ka dashur që të ulet në tryezë.
Felaj: Është njohur e drejta e ngritjes së Komisioneve Hetimore si e drejtë e opozitës, por nuk është një e drejtë e pakufizuar. ¼ e deputetëve të Kuvendit kanë të drejtë të propozojnë ngritjen e një komisioni hetimor. Ligji i vitit 2002 ka qenë ligji që ka detajuar këtë kërkesë për të drejtat e pakicës. Kam kërkuar që anëtarët e opozitës të mund të përfaqësoheshin në komisionin Ad-hock. Unë i kam ndjekur me vëmendje edhe qëndrimet e anëtarëve të opozitës dhe nuk më rezulton që dikush aty të ketë dashur që të ulemi në një tryezë punë dhe të punojmë me një tryezë të përbashkët. Koha nuk pret. Këtë duhet ta diskutojmë me të trija nisma, një e Tabakut dhe ajo e Spahos. Puna e komisioneve hetimore ka dalë jashtë kornizave të Kushtetutës së Shqipëri. Ne duam të bëjmë një ndarje të qartë që mos të zëvendësojmë punën e prokurorisë dhe të Gjykatës.
Kujtojmë se ngritja e Komisioneve Hetimore është kthyer në një mollë sherri mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetët e Bardhit dhe ato të Berishës, prej kohësh kanë bojkotuar seancat plenare duke mos lejuar zhvillimin normal të tyre, pasi pretendojnë se mazhoranca nuk pranon kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.
Disa ditë më parë, ishte kryeministri Rama ai i cili gjatë një konference për mediet, deklaroi se do të rishikojnë ligjin për komisionet hetimore.
Rama: Është koha që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe dështimet e panumërta të komisioneve në gjithë këto vite./albeu.com