
Sot, më 16 prill 2026, shënohet 27-vjetori i eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës gjatë Luftës së Kosovës, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë të re.
Rreth 800 mijë kosovarë u detyruan të linin shtëpitë e tyre, duke u përballur me dhunë, pasiguri dhe kushte të rënda jetese.
Në ato ditë të vështira, qyteti i Kukës dhe banorët e tij treguan një solidaritet dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, duke hapur dyert për qindra mijëra refugjatë, shpesh duke ndarë edhe kafshatën e fundit.
Mikpritja kuksiane mbetet një shembull i rrallë i vlerave njerëzore dhe kombëtare në kohë krize.
Në shenjë mirënjohjeje për këtë akt të madh human, Kukësi u propozua për Çmimi Nobel për Paqen, duke u kthyer në simbol ndërkombëtar të solidaritetit dhe dhembshurisë njerëzore.
Kjo ditë mbetet një kujtesë e fortë për sakrificën, dhimbjen dhe forcën e një populli që nuk u dorëzua.
Në pranverën e vitit 1999, kur mijëra shqiptarë të Kosovës kërkonin strehë, në fshatin Shtiqën të Kukësit, një derë u hap më shumë se zakonisht.
Arif Axhami priti në shtëpinë e tij 34 të dëbuar, tre familje që kishin lënë gjithçka pas. Ai u dha atyre dhomat ku jetonte me fëmijët, ndërsa vetë u zhvendos në katin përdhesë, aty ku mbante lopën.
Një akt i rrallë humanizmi, që nuk u harrua nga ata që gjetën strehë në këtë shtëpi.
Sot, kjo histori mbetet një dëshmi e gjallë e mikpritjes kuksiane në ditët më të vështira.
Start News
