Aktualitet dhe Lajme

Katari thotë se nga sulmet e Huthëve po preken dërgesat me gaz

Share

Katari, një prej eksportuesve më të mëdhenj në botë të gazit të lëngshëm natyror, paralajmëroi se dërgesat e tij me gaz po preken nga sulmet e vazhdueshme të lëvizjes rebele jemenase, Huthi.

Huthët po kryejnë sulme ndaj anijeve për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.

Deklarata e lëshuar nga QatarEnergy erdhi pasi u raportua për një shpërthim afër dy anijeve të regjistruara në SHBA, që po bartnin mallra për Qeverinë amerikane. Anijet po lundronin në ngushticën afër Jemenit. Nga ky shpërthim nuk është raportuar për dëme apo të lënduar. Asgjë grup deri më tani nuk e ka marr përgjegjësinë për këtë sulm, por dyshimet janë se sulmi u krye nga Huthët.

Anijet me dërgesa të gazit të lëngshëm natyror nga Katari janë vonuar para se të niseshin drejt Gjirit të Adenit dhe Detit të Kuq. Në këtë zonë, Huthët kanë kryer sulme. Rruga që kalon nëpër Gjirin e Adenit dhe Detit të Kuq është një rrugë kyçe detare nga Azia dhe Lindja e Mesme për dërgesat e energjisë për në Evropë.

Katari, që ka shërbyer si një ndërmjetës kyç midis Hamasit dhe Izraelit, ka thënë se ende asnjë anije e tij nuk është sulmuar. Në deklaratën nga prodhuesi shtetëror, QatarEnergy, u tha se “prodhimi vazhdon i papenguar dhe zotimi ynë për të ofruar furnizime të qëndrueshme të gazit të lëngshëm natyror për konsumatorët tanë vazhdon të jetë i palëkundur”.

“Përderisa ngjarjet që po zhvillohen në Detin e Kuq mund të ndikojnë sa u përket afateve të disa dërgesave, pasi që anijet duhet të ndryshojnë rrugën, dërgesat me gaz të lëngshëm natyror nga Katari po menaxhohen me blerësit tanë”, u tha në deklaratë.

Në deklaratë u sugjerua se dërgesat e QatarEnergy tani po udhëtojnë përmes Kepit të Shpresës së Mirë të Afrikës, duke zgjatur kohën e transportit.

Huthët kanë nisur sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq që nga nëntori i vitit të kaluar, duke thënë se sulmet janë në përgjigje të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.

SHBA-ja dhe Britania kanë kryer disa runde të sulmeve ajrore ndaj Huthëve, në kundërpërgjigje të sulmeve të rebelëve jemenas ndaj anijeve.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button