Kamala Harris pranon humbjen me dinjitet, telefonon Donald Trump-in dhe e uron për fitoren
Kamala Harris ka pranuar humbjen me dinjitet. Zv.presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pranuar zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe ka telefonuar kundërshtarin e saj në këtë garë, Donald Trump.
Burime nga ekipi elektoral i Harris kanë raportuar për CNN se Harris ka telefonuar presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e ka uruar për fitoren e tij.
“Harris ka telefonuar presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Ajo diskutoi rëndësinë e një transferimi paqësor të pushtetit dhe të qenit president për të gjithë amerikanët”, mësohet t’i ketë thënë Harris-Trump gjatë bisedës telefonike e cilat zgjati vetëm 1 minutë.
Harris pritet të flasë në orën 16:00 (22:00 me orën shqiptare) në Universitetin Howard, universiteti nga i cili u diplomua dhe të cilin e kishte zgjedhur për festën e natës së zgjedhjeve.
Pas rezultateve të para të martën mbrëma, kur u mbyllën qendrat e votimit, Harris kishte shmangur daljen në publik , edhe pse rezultatet e vendosën Trumpin në rrugën e fitores.
Vetë Trump doli pas mesnatës të së martës (mëngjes të së mërkurës në Shqipëri) për të shpallur veten fitues.