Aktualitet dhe Lajme

“Il Fatto Quotidiano”: Rama sulmoi mediat italiane në krah të Melonit

Share

3 ditë para zgjedhjeve europiane, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e shoqëruar nga ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi zbarkoi në Shqipëri për “të shenjtëruar” bashkë me homologun Edi Rama protokollin mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve. “Il Fatto Quotidiano” shkruan se në portin e Shëngjinit u përfundua me shpejtësi struktura e parë, e cila megjithatë nuk mund të përdoret për momentin. Gazeta citon fillimisht Melonin sipas së cilës “kompleksi i dy qendrave do të funksionojë nga 1 gushti 2024”.

“Do të jenë në dispozicion fillimisht 1 mijë vende të cilat do të arrijnë më pas në 3 mijë siç e parashikon protokolli. Kjo marrëveshje po bëhet model për BE-në. Pak javë më parë rreth 15 vende evropiane nga 27 nënshkruan një apel drejtuar Komisionit për të kërkuar ndër të tjera që të ndjekin modelin italian”, – shtoi Meloni që iu përgjigj edhe akuzave të opozitës italiane.

“Opozita fillimisht na akuzon për ndërtimin e një Guantanamo të re, pastaj ankohet për vonesat në ndërtimin e Guantanamos”, – tha me ironi Meloni duke nënvizuar se vonesat janë “të lidhura me natyrën e tokës së Gjadrit që nuk e ishte parashikuar dhe që kërkonte ndërhyrje përforcuese”. Opozitës që flet për një reklamë elektorale, kryeministrja i përgjigjet: “Unë po bëj punën time. E konsideroj normale” –tha ajo.

“Il Fatto Quotidiano” nënvizon edhe sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave italiane. “Ata që e shndërruan të drejtën demokratike për të kundërshtuar” marrëveshjen për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë “në abuzim të pushtetit të katërt, në kurriz të Shqipërisë, shqiptarëve dhe vetë publikut italian. Duhet të kenë turp”, – komentoi kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë konferencës për shtyp.

Rama u ankua për ato media italiane që kanë “hedhur baltë mbi Shqipërinë” për të “sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive”. Meloni, nga ana e tij, shprehu “solidaritetin me Shqipërinë dhe popullin e saj” për atë që ai e përkufizoi si “fushatë denigruese kundër Shqipërisë, e pikturuar si një narko-shtet i qeverisur nga krimi i organizuar”.

“Il Fatto Quotidiano” citon edhe drejtorin e portit të Shëngjinit sipas të cilit puna për qendrën “përfundoi vetëm një ditë më parë dhe kaloi nën menaxhimin italian”, citon lapsi.al . Në rreth 4 mijë metra katrorë në të cilat janë vendosur kontejnerë për pritjen e emigrantëve dhe zyrat për autoritetet italiane “do të mund të mbërrijnë 200 persona njëherësh, të cilët më pas do të transferohen në Gjadër”.

Pakti me Shqipërinë për emigrantët është “një humbje e madhe parash për një projekt që shkel të drejtat e njerëzve, zgjat vuajtjet e atyre që shpëtohen në det duke i hedhur njerëzit si fuçi në territorin shqiptar. Për mendimin tim është në kundërshtim me atë që parashikon kushtetuta. Është një marrëveshje cinike,” komentoi drejtuesja e PD-së, Elly Schlein partisë më të madhe në opozitë. Ajo thotë se udhëtimi i Melonit është “një truk elektoral që kushton 800 milionë euro që mund të ishin shpenzuar për shëndetin publik”.

“Sot këtu po inaugurohet një qendër elektorale e Melonit”, – tha sekretari i partisë “+Europa”, Riccardo Magi që mbërriti në pikën e emigrantëve në portin e Shëngjinit për të ushtruar sipas tij “kompetencat inspektuese si deputet”. Më pas ai u përplas me Melonin dhe forcat e saj të sigurisë.

“A jemi vërtet të gatshëm të paguajmë 1 miliard euro për një operacion të turpshëm për t’i fshehur emigrantët nga syri i qytetarit? Sot jemi përballë një qeverie që ka investuar gjithçka në propagandën e politikës së migracionit dhe gjithçka ka rezultuar një dështim total”, – komentoi Vittoria Baldino, nënkryetare e grupit “Lëvizjes 5 yjet”.

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se në fakt kostot vazhdojnë të rriten. Përveç 670 milionëve të buxhetuara tashmë (ndonëse burime të ndryshme flasin tashmë për mbi 800 milionë) për ndërtimin dhe menaxhimin e qendrave shqiptare prej 5 vitesh, Ministria e Brendshme ka publikuar edhe një tender për marrjen me qira, për 90 ditë një anije private e cila do të duhet të transportojë emigrantë nga Mesdheu në Shqipëri duke filluar nga shtatori. Kostoja e saj do të jetë 13 milionë e gjysmë euro. ©LAPSI.al

LEXO EDHE: Rai 3 na tregoi sa paguajnë banditët për makiazh

 Shkrimi në “Domani” që acaroi Ramën: Qendra e emigrantëve në bastionin e klaneve kriminale



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button