Aktualitet dhe Lajme

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për shfuqizimin e VKM-së dhe ligjit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës

Share

Anëtarët e Gjykatë Kushtetuese. Foto: Faqja online e gjykatës.

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën që të rrëzojë kërkesën e Shoqatës “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës” për shfuqizimin e ligjit për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me shoqërinë “Bechtel International Inc”. Gjykata rrëzoi edhe kërkesën për shfuqizimin e VKM-së për miratimin e kontratës së fazës së pare për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës – ndërmjet KESH sh.a. dhe “Bechtel Limited”.

GJK njoftoi zyrtarisht rrëzimin e kërkesës pa argumentim pasi vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afatit 30-ditor.

Në padi, shoqata “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës” pretendonin se VKM-ja dhe ligji për kontratën e Hec-t Skavica ishte i papajtueshëm me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Pas nënshkrimit të një marrëveshje me kompaninë amerikane Bechtel në korrik 2021 për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, qeveria shqiptare dhe vetë kryeministri Edi Rama kanë qenë të zëshëm mbi suksesin që kjo kontratë nënkuptonte.

Rama e cilësoi hidrocentralin, i cili sipas tij rrit me 20 për qind prodhimin e energjisë hidrike në vend, një “ëndërr të gjatë”. Madje së fundmi ndërsa vizitonte Dibrën për zgjedhjet vendore, Rama i cilësoi si të pakuptueshme kundërshtimet ndaj projektit dhe akuzoi opozitën se kishte nxitur kundërshtimet.

HEC-i i Skavicës është një projekt që ka nisur fillimisht në vitet 1970 si pjesë e kaskadës së Drinit, për plotësimin e nevojave të vendit me energji elektrike dhe si një rezervë ujore për pjesën tjetër të kaskadës.

Qeveria shqiptare hodhi hapin e parë për vënien në lëvizje të projekti, dy vite më parë me nënshkrimin e një marrëveshje me kompaninë Bechtel, e cila sipas kontratës po kryen studim teknik të zonës, fizibiliteti dhe po ashtu edhe vlerësim të ndikimit në mjedis.

Kosto të projektit janë ende të paqarta por shifrat e përmendura publikisht në varësi të digës dhe madhësisë së hidrocentralit variojnë nga 250 milion euro deri në 500 milion euro. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha gjatë një fjalimi në parlament në tetor 2022 se punimet do të nisnin brenda 9 muajve, por se ende vijonin negociatat për financimin e digës.

Projekti pritet të hasë në kundërshtime të forta të organizatave të mjedisit që e shohin atë si rrezik për biodiveristetin në zonë. Vitet e fundit janë zhvilluar një sërë protestash në Dibër kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në luginën e Drinit të Zi.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button