Aktualitet dhe Lajme

Gjimshiti analizon barazimin ndaj Marsejës: Nuk ia dolëm të bënim 100% ndeshjen tonë

Share

Atalanta ka dalë me një barazim 1-1 nga “Velodrome” i Marsejës ku u përball me Olimpikun vendas në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Europës. Por për skuadrën bergamaske, ky barazim duket se nuk është përjetuar me entuziazëm, pasi ekipi nuk ka qenë në maksimumin e tij.

Të paktën kështu kuptohet nga fjalët e Berat Gjimshitit, i cili pas sfidës ka theksuar se skuadra duhej të bënte më mirë e korrigjonte gabimet që kishte shfaqur në këtë ndeshje të parë, ku ai dhe shokët e repartit kishin pasur shumë punë për të bërë, sidomos në pjesën e dytë të duelit.

“E dinim që ishte skuadër e vështirë por gjithsesi, edhe se pse e dinim, deshëm të bënim ndeshjen tonë. Mendoj se nuk ia dolëm të bënim 100% ndeshjen tonë dhe kemi shfaqur disa vështirësi që duhet të korrigjojmë në ndeshjen tjetër.

Ishim shpejt në avantazh, pastaj pësuam shpejt atë gol të bukur të mbrojtësit të tyre qe gjuajti nga rreth 20 metra. Pastaj ndeshja ishte e ekuilibruar. Në pjesën e dytë sipas meje nuk luajtëm mirë, lejuam shumë hapësira.

Pse? Ndoshta edhe se nuk e njohim mirë skuadrën kundërshtare. Kemi parë video, por në Itali je mësuar të luash gjithmonë me të njëjtat skuadra. Kjo ka ndikuar paksa, se ata bënë mirë në sulm, na bënë të vraponim shumë. Nuk dinim mirë si t’i përballonim. Në fund një barazim, nuk humbëm.

Tani do të luajmë në shtëpi në javën e ardhshme, e dimë çfarë duhet të bëjmë. E dimë që nuk kemi bërë shumë mirë, por ka kohë të korrigjojmë. Jemi para tifozëve tanë në fushën tonë dhe do të bëjmë gjithçka”, tha ai pas ndeshjes.


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button