Aktualitet dhe Lajme

FOTO-LAJM/ Ky është “Buzëdërri” që i vranë të birin me snajper, pjesë e bandës së “Gaxhait”

Share

Gazetari i kronikës, Artan Hoxha ka publikuar për herë të parë një foto të Sokol Sinomatit, i njohur me nofkën “Buzëdërri”, të cilit mbrëmjen e 7 Janarit i ekzekutuan me snajper të birin 23 vjeç, Gëzim Sinomati, në ballkonin e banesës së tij në qytetin e Vlorës.

Sokol Sinomati

Sokol Sinomati, ka qenë pjesë e bandës së “Gaxhait” në vitin 1997 në Vlorë, teksa në foto shfaqet bashkë me të akuzuarit e tjerë të kësaj bande në Gjykatën e Tiranës në vitin 1999.

“Ky eshte Sokol Sinomati në banken e te akuzuareve me banden e gaxhait në vitin 1999 në gjykaten e Tiranes” – shkruan shkurtimisht Artan Hoxha në foton e publikuar në rrjetet sociale.

Sokol Sinomati është i dënuar për vrasjen e ndodhur në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuho, ka qëlluar gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit.

Në 2014 gjykata e Lartë  atëherë me relator Edmond Islamaj vendosën që Armando Sulejmani (Cipuri) dhe Sokol Sinomati – të dy ushtarë të Gaxhait – të mos dënoheshin me burgime përjetë si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënoheshin përfundimisht me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim, duke u dënur përfundimisht me 16 vite burgim. Ky vendim solli lirimin e tyre nga qelia,edhe pse ishin të akuzuar dhe dënuar për një tjetër vrasje të kryer në Vlorë, në vitin 2002 në Skelë, ku i vdekur mbeti Elton Tato.

Pas lirimit, ai u largua nga Shqipëria në vitin 2017-n, drejt Belgjikës, ku sërish merrej me aktivitet të paligjshëm dhe u arrestua aty në vitin 2021, për çështje droge. Në fund të vitit 2022 ai u ekstradua në Tiranë, për ngjarjen e regjistruar në vitin 2002-in në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku

Edhe i biri Gëzim Sinomati jetonte në Belgjikë, teksa kishte ardhur në vendin tonë dy herë brenda muajit, sepse i vdiq gjyshja dhe siç duket kishte vendosur të priste edhe të atin, që thuhet se do të dilte nga burgu për pak ditë, pasi i përfundonte dënimi.

Por, kundërshtarët, vepruan shpejt dhe e ekzekutuan dy ditë më parë, edhe pse ka dyshime se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër. Dyshohet se ata mund të kishin si qëllim të vrisnin xhaxhain e viktimës, Benard Sinomati, vëllai i Sokolit, i cili ndodhej në të njëjtën banesë. Edhe ky i fundit jetonte në Belgjikë dhe kishte dy muaj që kishte ardhur në Shqipëri.

Gjithashtu vlen të theksohet fakti se Benard Sinomatit, dy vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, i vunë 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku iu ekzekutua nipi 23 vjeçar.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button