Lajme nga Dibra

Fondi Shqiptar i Zhvillimit hap tenderin prej afro 3.4 milionë euro për parkun tematik “Retro Divizioni” në Bulqizë

Share

Projekti “Retro Divizioni” në Bulqizë. Projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën e tenderimit për projektin e ndërtimit të parkut tematik “Retro Divizioni” në Bulqizë. Ky projekt që synon të rikthejë ish-zonën ushtarake në një destinacion turistik dhe kulturor. Me një fond limit prej 338,665,777.77 lekë (rreth 3.4 milionë euro), procesi i tenderimit është njoftuar në datë 7 tetor dhe ofertat do të dorëzohen deri më 22 tetor 2024.

Projekti “Retro Divizioni” në Bulqizë

Referuar të dhënave në relacionin teknik, përfshihet hartimi i një masterplani dhe një projekti për rikualifikimin e “Retro-Hotel” në ish-shtëpinë e Oficerëve, si dhe tetë banesave dykatëshe që ndodhen në të njëjtën zonë, prej të cilave, në relacion thuhet se katër janë aktualisht të okupuara në mënyrë informale. Sipërfaqja totale ndërtimore e këtyre strukturave është 3,400 m², me një gjurmë totale prej 1,700 m². Ndërtesa kryesore, ish-shtëpia e Oficerëve, ka një sipërfaqe prej 490 m² për kat dhe përbëhet nga dy deri në tre kate, ku kati i tretë është më i dëmtuar për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit fillestar.

Projekti “Retro Divizioni” në Bulqizë

Projekti synon të sjellë dhoma hoteliere të stilit retro, dhoma me kapacitet të lartë për qëndrime në grup (hostel), si dhe një dhomë muzeale që përmban mobilim dhe teknologji nga periudha komuniste. Gjithashtu, në plan është integrimi i njësive të reja për mëngjes dhe kafeteri, hapësira për administratën dhe recepsionin, si dhe tualete të veçuara dhe të përbashkëta për të plotësuar nevojat e vizitorëve.

Projekti “Retro Divizioni” në Bulqizë

Kohëzgjatja e kontratës ose marrëveshjes kuadër për zbatimin e projektit është planifikuar të zgjasë 24 muaj, duke përfshirë fazat e planifikimit dhe zbatimit deri në përfundimin e plotë të veprave. Investimi do të financohet nga Programi buxhetor i qeverisë për periudhën 2024-2026.

Një çështje e rëndësishme që shoqëron projektin e parkut tematik “Retro Divizioni” në Bulqizë është situata e paqartë pronësore e truallit, ku disa familje pretendojnë pronësinë dhe vazhdojnë të jetojnë në ish-ndërtesat ushtarake. Në një përgjigje për Bulqizaime.al, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) sqaroi se objektet me banorë aktualë nuk do të ndikohen nga projekti dhe se këta banorë do të kenë mundësinë të përfshihen në aktivitetet e komunitetit të ri që do të zhvillohet në zonë. FSHZH theksoi se këta banorë do të jenë ndër përfituesit kryesorë të përmirësimeve që projekti do të sjellë, duke përfshirë mundësi të reja ekonomike, punësim dhe angazhime në shërbime të ndryshme. Gjithashtu, në rast të ndikimeve në marrëdhëniet pronësore, FSHZH nënvizoi se çdo çështje do të trajtohet sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, duke siguruar një qasje rigoroze dhe të drejtë për të gjitha palët e përfshira.

Projekti “Retro Divizioni” në Bulqizë

Në relacionin teknik të projektit “Retro Divizioni” në Bulqizë, parashikohet se pesë nga ndërtesat ushtarake do të prishen për t’i hapur rrugë zhvillimeve të reja infrastrukturore dhe riorganizimit të hapësirës, ndërsa shtatë objekte të tjera janë planifikuar për ruajtje. Këto ndërtesa do të integrohen në projekt si pjesë e strukturave me vlerë historike dhe do të përshtaten për të mbështetur funksionin e ri të zonës si një destinacion turistik dhe kulturor.




Huazuar nga BulqizaIme

Back to top button