“Shpërthen” Dashnor Sula: Në 3 muajt e fundit çmimet u rriten më 3%, pensionet në vend numëro
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për politikën e saj të pensioneve dhe rritjen e çmimeve, duke theksuar se në kushtet kur çmimet e ushqimeve dhe pijeve po shënojnë rritje, pensionistët nuk kanë përfituar asnjë ndihmë për të përballuar këtë situatë.
Në një postim në Facebook, Sula shkruan se vetëm në 3 muajt e fundit çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me rreth 3%, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it.
“S’ndalen çmimet, pensionet në vend numëro.
Të akuzosh qeverinë, këtë mazhorancë se ka lënë në ditët më të errta 800 mijë pensionistë nuk është një trend, por është një realitet i hidhur që duhet të ndryshohet.
Shikoni pak të dashur qytetarë: Vetëm në 3 muajt e fundit sipas INSTAT-it të qeverisë, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkolike janë rritur me afro 3%. (Theksoj se këto janë shifrat zyrtare dhe se realiteti është pak më ndryshe, janë rritur edhe më shumë). Ndërkohë edhe më shqetësuese e bën faktin se trendi është rritës. Nëse krahasohet me një vit më parë gjithmonë referuar shifrave të INSTAT, në 2024 kanë vijuar rritjen gjatë gjithë mujve.
Çka do të thotë: në qoftë se në 2023 me 100 lekë mund të bleje bukë, në 2024 duhet të hash më pak sepse nuk të mjafton ai buxhet. Cfarë kemi nga ana tjetër, a ka marr ndonjë masë qeveria për ti ardhur në ndihmë pensionistëve dhe shtresave në nevojë për të frenuar rritjen e çmimeve apo për të rritur pensionet?!
Përgjigja është: jo, jo dhe jo
Buxheti i 2025 nuk parashikon as heqje dhe as ulje të TVSH për shportën e ushqimeve. Buxheti i 2025, nuk parashikon as rritje pensionesh. Çfarë bëri qeveria? Në një kohë që vetëm në 3 muaj çmimet rriten me 3%, mazhoranca indeksoi me vetëm me 4% për gjithë vitin pensionet. Tallje, trajtim çnjerëzor.
Suficiti për këtë vit, pra paratë që nuk janë harxhuar në buxhetine shtetit përllogariten në 700 mln euro. Do mjaftonin vetëm një pjesë e tyre në mënyrë që pensionistëve tu rritej minimalisht sa gjysmën që rriti Kosovë, pra me 10%.
Por kjo qeveri nuk e bëri. Nuk e bëri sepse pensionistët I sheh vetëm si vota dhe që I konsideron vota të sigurta në shportën e vetë. Nuk ka trajtim dinjitoz për ata që kanë 40 vite kontribute në arkën e shtetit”, shkruan ai.