Aktualitet dhe Lajme

E rëndë/ Publikohen pamjet nga momenti i ekzekutimit të biznesmenit Eduart Reçi (VIDEO)

Share

Ky është momenti kur biznesmeni Eduart Reçi, qëllohet me armë dhe bie në tokë. Në video biznesmeni i ndërtimit qëllohet me plumb në kokë, teksa qëndronte në sheshpushimin e pallatit të tij, përballë Fakultetit Ekonomik, tek Rruga e Elbasanit.

Në pamje shihet teksa 52-vjeçari Eduart Reçi, po shikonte telefonin dhe më pas bie në tokë.

Si autorë të dyshuar të krimit të rëndë që tronditi kryeqytetin më 13 Nëntor, janë arrestuar efektivi i policisë gjyqësore, Shkëlqim Duka dhe i vëllai Florjan Duka, të cilët dolën ditën e sotme (26 Nëntor) para togave të zeza që caktuan ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.

Oficeri i policisë gjyqësore dhe i vëllai, Florjan Duka, kanë mohuar akuzat ndaj tyre se kanë eliminuar biznesmenin e ndërtimit, që sipas policisë ka ndodhur pas një përplasje për një truall.

“Nuk jemi ne vrasësit”, kanë deklaruar vëllezërit para togave të zeza që caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre.

Vrasja e biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi, duket se është zbardhur 11 ditë pas krimit tronditës në kryeqytet, ku 52-vjeçari u qëllua me plumb në kokë në sheshpushimin e pallatit të tij, mbrëmjen e 13 Nëntorit.

Në pranga ranë ditën e djeshme (24 Nëntor), Shkëlqim Duka, oficer i OPGJ-së në komisariatin nr.2 në Tiranë, dhe vëllai i tij, Florjan Duka, si autor të dyshuar të krimit, ndërsa pas ngjarjes mësohet se fshihen konfiktet për një pronë ku biznesmeni dëshironte të ndërtonte një pallat.

“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Duka“, njoftoi policia.

Por, mësohet se kjo nuk ka qenë tentativa e parë e oficerit të OPGJ-së për të ekzekutuar biznesmenin e ndërtimit.

Sipas burimeve, efektivi Shkëlqim Duka, i cili njihet si qitës i mirë në radhët e uniformave blu, ka tentuar ta ekzekutojë Eduart Reçi edhe në datën 8 Nëntor.

Efektivi 48-vjeçar, raportohet se ka qëlluar në drejtim të biznesmenit, por plumbi nuk ka shënjestruar objektivin.

Mësohet se oficeri i OPGJ-së në komisariatin nr.2, Shkëlqim Duka e ka ruajtur biznesmenin e ndërtimit për 5 ditë me radhë për ta eliminuar. Ky detaj, sipas burimeve nga grupi hetimor, është vënë re pas kqyrjes së pamjeve filmike pranë vendit ku ndodhi edhe vrasja e Eduart Reçit.

Nga analizimi i pamjeve filmike, ka rezultuar se autori i dyshuar Shkëlqim Duka, ka qëndruar për 5 ditë në pritje të Eduart Reçit, përkatësisht nga data 8 nëntor deri në 13 nëntor, përveç datës 11 për shkak se ka qenë në punë në detyrë.

Oficeri i policisë e ka pritur Eduart Reçin nga ora 19:00 deri në 23:00 derisa mbrëmjen e 13 nëntorit, ku në orën 22:40 minuta e qëlloi me plumb në kokë duke i marrë jetën.

Në video, oficeri i policisë shihej i pozicionuar në një shkallë metalike të një hoteli ngjitur më lokalin e tij, ku kishte pamje vizuale nga oborri i pallatit të Eduart Reçit.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë policia ka parë një person, i cili pozicionohet në pozicion qitje me një armë në dukje me dylbi.

Pas arrestimit të tij dhe të vëllait, Florjan Duka, policia ka ushtuar kontrolle në banesat dhe lokalin e tyre ku ka gjetur prova që i implikojnë, por ende nuk ka gjetur armën e krimit.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48-vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45-vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””,– njoftoi policia.

Gjatë kontrolleve të ushtruara më 23 Nëntor në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

 




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button