Aktualitet dhe Lajme

“Duhej të kishim fituar ndaj Ishujve Faroe”! Armand Duka flet për kalimin në Euro 2024

Share

Digitalb i ka kushtuar një dokumentar kualifikimit të Shqipërisë për në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” të titulluar “Rruga drejt Euro 2024”.

Dokumentari i punuar nga gazetari i SuperSport Elvis Rexha sjell për të gjithë teleshikuesit emocionet e edicionit kualifikues, duke përfshirë protagonistët kryesor si Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe disa futbollistë kuqezi që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kualifikimin drejt Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Dokumentari nis me Presidentin Duka, i cili tregon kontaktet e para me trajnerin Silvinjo dhe aspektet pozitive të brazilianit, që i bënë përshtypje në takimin në Milano.

“Kemi takuar disa trajnerë. Takimi im i parë me Silvinjon ka qenë në Milano dhe që nga dita e parë më ka lënë një sensacion pozitiv, me goxha uri për sukses. Trajnerët në një Kombëtare konsumohen dhe kërkohet një energji e re. Këtë kemi bërë me Silvinjon. Kemi gjetur jo vetëm një trajner të ri në moshë, por edhe me energji të reja” – tha Presidenti Duka.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar pranoi se fillimi ka qenë i vështirë për Silvinjon, që nuk pati mundësi të testojë futbollistët në miqësore, por e nisi direkt në Poloni në sfidën e parë kualifikuese.

“Ishte një lloj handikapi fillimi i punës së tij, pa një ndeshje miqësore, por e kompensoi. Bashkë me stafin e tij bënë një punë intensive vitrtuale, duke tejkaluar këtë vështirësi. U kam vënë objektiva shumë herët. Nëse nuk vë objektiva dhe nuk i beson as vetë ato, atëherë nuk i besojnë as njerëzit që bashkëpunojnë me ty”, – theksoi Presidenti Duka, i cili flet edhe për momentin e arritjes së objektivit dhe për kundërshtarët në finalet e “Euro 2024”.

“Me barazimin ndaj Moldavisë arritëm objektivin. Nuk ishin kundërshtar i lehtë. Na duhej kualifikimi dhe e arritëm. Ndaj Ishujve Faroe duhej një fitore për të festuar më shumë, por në fund të fundit futbollistët janë qenie humane dhe askush nuk mund t’i ndalte të festonin. Të vetëkënaqur, e konsideruan të lehtë ndeshjen. Nuk është e lehtë t’i motivosh në një ndeshje kur pikët nuk duhen. Shorti për mua është i bukur, janë të fortë, pasi kanë fituar. Më pelqen pasi do luajmë ndaj emrave të mëdhenj me synimin për të kaluar grupin. Nuk do shkojmë për llogari, por për të bërë më të mirën” – tha Presidenti Duka.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button