Dhjetëra qytetarë të Bulqizës në spital me shenja helmimi
Dhjetëra qytetarë të Bulqizës janë paraqitur këtë të dielë në spital me simptoma helmimi. Ende nuk është përcaktuar shkaku i helmimit, pasi rastet e paraqitura në spital vijnë nga zona të ndryshme të qytetit dhe jo vetëm nga një lagje apo fshat specifik.
Për të zbardhur këtë ngjarje, janë marrë analizat e ujit të pijshëm në disa zona të qytetit. “Komisariati i Policisë Bulqizë ka marrë njoftim se disa shtetas banorë të bashkisë Bulqizë ishin paraqitur në spital për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi. Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit. Në përfundim të hetimeve, do të ketë informacion më të detajuar.”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
Personat e helmuar që kanë marrë mjekim në Spitalin e Bulqizës deklarojnë për Bulqizaime.al se kanë pasur dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke. Shumë prej tyre dyshojnë se shkaku i helmimit është uji i pijshëm.
Në Lagjen e Vjetër, rrjeti shpërndarës i ujit ka ndërhyrje të jashtëligjshme, dhe një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga persona të jashtëm dhe të ekspozuara ndaj ndotjes. Në Lagjen e Re, prej më shumë se një viti po kryhen punime për rehabilitimin e ujërave të zeza. Një situatë e tillë është e përsëritur në Bulqizë dhe njësitë administrative përreth, pasi banorët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në disa raste të mëparshme për shkak të helmimit nga uji.