Buxheti 2025/ Gjiknuri: Të rrisim pensionet qoftë edhe duke rritur pak borxhin publik, kur morëm qeverisjen na dukej ëndërr ta ulnim borxhin sa është sot
Gjatë fjalës së tij në Parlament, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikes, njëherësh deputeti i PS, Damian Gjiknuri, teksa ka folur për buxhetin e 2025, propozoi shkurtimin e disa investimeve publike për të bërë të mundur financimin e rritjes së pensioneve.
“Teksa analizoja siç e përmenda më lart, progresin e rritjes së ekonomisë së vendit, rritjes së Buxhetit të Shtetit dhe uljen e borxhit publik në kufijtë nën 57% të PBB , nuk kam pse të mos mendoj që ka hapësirë buxhetore për të bërë diçka më shumë në mandatin tjetër”, u shpreh Gjiknuri.
“Shteti është si një familje madhe”, vijoi ai, “dhe ashtu si në një familje kur mund të kesh në ngarkim edhe shumë anëtarë që nuk janë në gjendje të punojnë, çdo kryefamiljar i përgjegjshëm heq diçka nga vetja, shkurton ndonjë investim apo dhe merr diku borxh për të plotësuar nevojat më imediate të familjareve që nuk janë në gjendje”.
“Në kohën ku morëm qeverisjen dhe më kujtohet dhe nga puna si ish minister, na dukej si ëndërr që Borxhi Publik të arrinte në këto parametra që është sot, pasi në disa raste ai shkoi dhe 72 % PBB.
Duke thënë këtë, mendoj që në të ardhmen të shikohet kjo hapësire fiskale e kombinuar dhe heqjen e ndonjë investimi që nuk është aq prioritar me qellim adresimin e rritjes reale të pensioneve minimale.
Mendoj që si parti e majtë e kemi këtë detyrim njerëzor ndaj brezave para-ardhës të cilët me punën e tyre kanë kredituar dhe një pjesë të asaj çka gëzojmë ne sot. Një injektim i tillë buxhetor nuk duhet të na shqetësoje pasi është kontribut direkt në konsum dhe ekonomi”, theksoi Gjiknuri.