Aktualitet dhe Lajme

Bujar Leskaj: Autokrati Rama i ka prerë krahët lirisë së informacionit!

Share

Nga Bujar Leskaj
Sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët dhe mbarë vendi ynë, vijnë kokëulur në bilancin e lirisë së të shprehurit dhe mungesës së censurës, të hapur apo të fshehtë, për të thënë atë që mendon në Shqipëri.

Në mbarë botën e qytetëruar, të zhvilluar dhe demokratike, shtypi dhe media e lirë konsiderohen si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e qeverisjes mbi fondet publike dhe mbi të drejtat themelore të njeriut.

Shtypi dhe media e lirë përfaqësojnë realisht lirinë e shprehjes në një vend. Mungesa e lirisë së shtypit dhe medias ndikon mbi të gjitha liritë tjera themelore. Kjo është njëra nga liritë e para dhe përcaktuese shoqёrore e politike, pasi formimi i një opinioni publik të ndërgjegjshëm, si shtyllë e vetë demokracisë ruhet, vetëm nëse qarkullon informacioni i lirë, objektiv dhe i ndershëm.

Në të gjitha regjimet që dhunojnë lirinë , qofshin ato totalitare apo autokrate, gjëja e parë që bëhet është prerja e krahëve të lirisë së informacionit.

Këtë ka bërë edhe sekti Rama në pushtet, duke blerë pjesën më të madhe të mediave tradicionale dhe online, përmes dhënies së tenderave shtetërorë, projekteve me fonde publike dhe qindra lidhjeve dhe “favoreve” të tjera okulte.

Dita Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit përfaqëson një mёnyrё dhe njё nga mjetet për të zbuluar problemet jetike për një demokraci të brishtë si kjo e jona, ku autokrati Rama përdor sektin e tij në pushtet, për të kontrolluar fiskalisht në mënyrë selektive dhe të hapur mediat e lira dhe kritikuese ndaj tij, ndërkohë që favorizon me çdo mjet të ligjshëm e të paligjshëm ato media që shiten për tendera publikë dhe leje ndërtimi dhe që i fërkojnë krahët.

Influencën dhe ndikimin abuziv të pushtetit në Shqipëri, mbi mediat, opinionin publik dhe vetë qytetarët, e ka denoncuar vitet e fundit fuqishëm organizata ndërkombëtare prestigjoze Freedom House.

Kjo organizatë, e cila mat lirinë e medias dhe të të shprehurit të lirë dhe pa censurë të gazetarëve në të gjitha vendet e botës, ka denoncuar fuqishëm skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve shqiptarë, të grumbulluara nga serveri i Partisë Socialiste.

Freedom House e ka cilësuar praktikën e grumbullimit të të dhënave personale sensitive të popullatës, si numri i kartës së identitetit, numri i llogarisë bankare, targa e makinës, etj., si një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarit dhe sprovë për manipulim të pozicionit të tij shoqëror, për interes të ndikimit zgjedhor mbi qytetarin.

Freedom House ka konstatuar se të dhënat sensitive të 910 mijë qytetarëve të Shqipërisë ishin grumbulluar në serverin e patronazhistëve të Ramës dhe, për më tepër, ishin siguruar nga një portal qeveritar e-Albania, i cili ofron shërbime publike online, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sikurse përmendet në raportin e organizatës, Partia Socialiste fillimisht e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por kryeministri Rama më vonë e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit”.

Freedom House ka denoncuar fuqishëm mekanizmin okult shtetëror të ngritur nga sekti Rama në pushtet, për të influencuar qytetarët permes patronazhistëve, duke disponuar dhe keqpërdorur të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Freedom House thekson se shkeljet tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale. Organizata ndërkombëtare shprehet e keqardhur që ndaj skandalit të patronazhistëve me të dhënat sensitive të qytetarëve, nuk u nis asnjë hetim i organeve ligjzbatuese. Madje, organizata cilëson se nuk u arrit të organizohej as edhe një dëgjesë publike në Parlamentin e Shqipërisë, lidhur me mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo i trajtojnë të dhënat personale sensitive të qytetarëve.


Huazuar nga StartNews.

Back to top button