Berisha: Sistemet TIMS dhe E-Gate u instaluan nga SHBA dhe garantuan liberalizimin e vizave, sot janë në duart e krimit
Sali Berisha në fjalën e mbajtur përpara qytetarëve, deklaroi se gjatë qeverisjes së tij në vitet 2005-2009, sistemet TIMS dhe E-Gate u instaluan nga SHBA.
Ai tha se këto sisteme të një sigurie të lartë e bënë Shqipërinë një vend, për të cilin votuan të gjitha vendet e BE për heqjen e vizave.
Ndërkohë sot, sipas tij “këto sisteme janë në duart e krimit”.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS
Te këto dosje është fytyra e vërtete e qeverisë së Edi Ramës. Janë krimi i dytë më i shëmtuar në historinë e kombit pas shpopullimit, krijimi i narkoshtetit. Te këto dosje që mercenari Dumani u fsheh qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur si puthador, si lake, Edi Ramën dhe kriminelët e tjerë me pushtet, qëndrojnë projekte makabre të transportit të drogës, kanabizimit të Shqipërisë.
Miqtë e mi, këto dosje faktojnë se bota mizore e nëndheshme e krimit ka emëruar në Shqipëri ministra dhe mbiministra. Se kjo botë e pashpirt ka diktuar plaçkitje dhe grabitje pafund të pronave të shqiptarëve. Se kryeministria, se ministria e rendit, se drejtësia janë në kthetrat e pamëshirë të tyre. Se nuk ka qelizë, nuk ka sekret që nuk u është dhënë këtyre bandave dhe kriminelëve që janë fuqia e vërtetë e shtetit të Edi Ramës.
Të dashur miq, në vitin 2009, SHBA vendosën në Shqipëri në pikat e kontrollit të kufirit njërin nga sistemet dixhitale më të avancuara të kohës, sistemin TIMS dhe E-Gate. Këto sisteme të një sigurie të lartë, të një mbrojtje të plotë kibernetike, e bënë Shqipërinë një vend, për të cilin votuan të gjitha vendet e BE për heqjen e vizave. Erdhën zyrtarët më të lartë të zbatimit të ligjeve, drejtori i përgjithshëm i policisë federale gjermane dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit nga vendet e tjera.
Ata mbetën të befasuar kur panë sistemet e kontrollit të kalimit të kufirit. Po sot o miq? A e dini ju se këto sisteme janë në duart e krimit? Se këto sisteme me Taulant Ballën, Edi Ramën, Met Rrumbullakun, iu dorëzuan krimin.
Huazuar nga Lapsi.al