Berisha e ‘biznesi’ i shkuar dëm, Rama vijon ‘demontimin’ e RAI 3
Nga Jakin Marena
Nuk e di pse politikanët shqiptarë nuk po mësohen që nuk po mësohen dot me faktin se fotot me politikanët e huaj dhe akuzat politike që kanë ‘lëvruar’ për vite me radhë në Shqipëri dhe që i rikthejnë në ‘bazë’ në gjuhë të huaj për konsum politik, nuk pinë më ujë në këtë vend.
E thënë më shqetëso, nuk sygjestionohet më asnjë shqiptar, sado i padalë të jetë, nga një foto e ndonjë politikani të lartë apo të niveli të ulët shqiptar me politikanë nga SHBA, vendet e BE apo Britania, të cilët në të shumtën e herës i kanë zënë në një cep si me përdhunë, duke dalë nga banjoja apo nëpër korridore ku janë shkëmbyer rastësisht dhe ku u kanë marrë ndonjë ‘resme’.
Në të shumtën e herës, t’a vësh në litar ‘ortakun’ e fotos, ai nuk e di as vetë emrin e politikanit dhe as nga bie Shqipëria, ndërkohë që politikani shqiptar e paraqet atë si një mik të madh të tij, partisë së tij dhe guxojnë si përherë, e cilësojnë dhe mik të shqiptarëve. Ndoshta dhe mund të ketë qënë vërtetë mik i madh i shqiptarëve ai politikan i huaj, por jo për hesapin e këtyre politikanëve tanë.
E themi se nuk sygjestionohet asnjë shqiptar nga këto lloj makinacionesh politike që përsëriten e përsëriten për 33 vite me radhë, sepse sado me pompozitet të jenë prezantuar këto skenarë me ‘kolazhe’ fotosh para publikut shqiptar, nuk kanë shtuar asnjë kokërr vote në zgjedhjet e radhës. Përkundrazi kanë humbur më shumë vota për partitë që përfaqësojnë ky model politikanësh. Dhe kjo ka ndodhur më së shumti në krahun e opozitës aktuale, e cila vijon ‘pikiatën’ politike.
Por ka dhe shpenzime të mëdha ky lloj i të bërit politikë në Shqipëri, dhe që në gjuhën politike moderne quhet ‘lobim’. Janë miliona dollarë të hedhura në Uashington, Bruksel, Londër, Berlin etj etj., dhe opozita jo vetëm që nuk ka fituar gjë, për të pretenduar ardhjen në pushtet, pas tre mandateve rresht jashtë qeverisjes, por po bjerret gjithnjë e më shumë.
Për më tepër lidershipi i opoziitës është në dyert e SPAK pikërisht për këto lobime, pasi nuk i justifikojnë paratë e hedhura për një foto me ndonjë president, me ndonjë kongresmen apo senator amerikan, apo për ndonjë udhëheqës evropian.
Po hetohen për hir të së vërtetës, pasi për të siguruar paratë e këtij lobimi e kanë futur veten aq shtrenjtë, sa e kanë shitur atë që s’thuhet dhe tek Rusia e Putin. Si në rastin e Berishës dhe të PD, që mori gjysmë milioni dollarë për një lobim. Kjo është pjesa e dukshme mund të themi, pasi e kanë konfirmuar dhe shërbimet e sigurisë amerikane që, PD ka marrë para ruse për të rrëzuar qeverinë e destabilizuar vendin dhe rajonin. Sepse po të dha paratë Kremlini, të paktën “Kalinkën” ruse do ta “kërcesh” se s’bën.
Por duke qënë se politikanët shqiptarë të opozitës, mbi të gjitha strumbullari i tërë akuzave të pavërteta në Shqipëri Sali Berisha, janë në një pozitë aq të vështirë sa pësimi nuk po bëhet mësim, kanë vijuar në mënyrë të vazhdueshme që akuzat politike pa themel, bazë, fakte e prova si dhe gjysmë të vërteta të cilat i kanë hedhur për tregun politik në Shqipëri pa i besuar askush, t’i risjellin sërish të përmbledhura por në gjuhë të huaj tashmë. Me shpresën se mos shqiptarët sygjestionohen dhe e kapin ‘karremin’ e lyer me ‘tisin’ e të folmes anglisht, gjermanisht dhe tashmë së fundmi në italisht.
Shpresa vdes e fundit përmend shpesh Berisha i gjendur nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv, këtë shprehje të lëvruar nga shqiptarët ndër shekuj. Por shqiptarët po tregojnë se nuk i ‘bien grepit’ të Berishës dhe ortakëve të tij, por mbështesin ata që punojnë për mirëqenien e tyre, për integritetin e tyre dhe për krenarinë shqiptare. Me aq sa munden, qoftë dhe me disa gabime rrugës, por ama përpiqen, përmirësohen rrugës dhe arrijnë të sjellin ndryshimin. Kanë bërë që shqiptarët ta mbajnë kokën lart, krenarë dhe të jenë afër me shtetin e tyre.
Berisha dhe opozita vazhdojnë të njejtin avaz. Hodhën të gjitha akuzat e pavërteta e gjysmë të vërteta që kishin përcjellë për vite me radhë dhe që nuk i kishte besuar askush, në një portal anonim italian para disa vitesh, duke shpikur ‘fakte’ se 1500 maune me pesticide ishin nisur nga Italia për në Shqipëri për t’u groposur në Pukë, e doli një bllof. Pavarësisht se e përcollën lajmin në italisht, pavarësisht se askush nuk e hedh një gërmë pa para, për të bërë artikuj pa asnjë fakt. Sepse duhet të jenë të përgatitura mediat e këtij lloji që janë koshiente për lajmet e rreme, për të përballuar shpenzimet e gjyqit. E dinë këtë gjë.
Të njejtën gjë bëri me gjermanen “BILD” para dy viteve, ku ‘riaktivizuan’ një dosje të mbyllur e të harruar të prokurorisë për ta shitur si nën hetim për të goditur qeverinë dhe dolën sërish blof. Të njejtën gjë bënë dhe me portalet greke me apo pa emër të madh, ku nuk lanë ministër socialist pa akuzuar, por dhe prokurorë e gjyqtarë të posaçëm që kanë në dorë dosjen e Berishës, e asgjë s’është arritur deri më tani nga Berisha. Vetëm kanë ardhur përgënjeshtrime të njëpasnjëshme, të ‘shoqëruara’ me një ‘faturë’, për këtë ‘biznes’ të shkuar dëm për Berishën e ortakët e tij.
E njëjta gjë po ndodh dhe me një gazetar të RAI3, i cili është furnizuar nga Berisha e të tijtë brenda dhe jashtë Rithemelimit dhe opozitës, duke mbledhur akuzat e gënjeshtërta dhe gjysmë të vërtetat e disa viteve me radhë, thashethemet e çdo tavoline apo portali, dhe ‘lumin’ e fantazisë së një plaku 80 vjeçar që përpos moshës së madhe, ka takstirat në këtë lëvizje nga binarët dhe shkëputjeje nga realiteti dhe qëndrimin i mbyllur në arrest shtëpiak, për gati 6 muaj me radhë. Jo se shihte nga informacioni i saktë kur ishte jashtë mureve të ‘ngujimit’ nga drejtësia të kuptohemi. Ka pasur ‘fantazi’ për të shpikur akuza dhe thënë gjysmë të vërteta për 33 vite me radhë Berisha, është usta dhe kampion në këtë lloj zeje.
Por këtë radhë, zgjodhi që për militantët e tij që po i ikin një nga një nga Rithemelimi, që ato që fatuan në ‘guzhinën’ e tij t’i rikthejë në gjuhën italiane, përmes zërit të RAI3, pasi në shqip nuk e beson askush. Është e largët ajo ditë kur dhe e besonin ndonjë gjë që thoshte. Tani dhe sikur të gjithë të vërtetat e Zotit të thotë çdo ditë, askush nuk e beson më. Ndaj zgjedh të ‘flasë’ në gjuhë të huaj Berisha, por dhe ortakët e tij, mbledhin gjithë llumin e krijuar nga ata vetë ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti, i përkthejnë në gjuhë të huaj dhe kërkojnë t’ua paraqesin shqiptarëve si një version të ri akuzash dhe gjysmë të vërtetash. “Që vjen nga Evropi”, pikërisht asaj Evrope dhe Amerike, të cilës i kanë shpallur luftë. Dhe kanë marrë si ‘shpërblim shpalljen ‘non grata”. Pasi i kanë punuar qindin këtij populli dhe amerikanët e evropianët ia dinë dhe ‘numrin e këmbës’ Berishës tashmë. Por dhe shqiptarët.
Ajo që panë shqiptarët dy ‘seriale’ në televizionin italian RAI3, ishte një skenar që përmbante brenda gjysmë akuza të paqenja që janë dëgjuar për vite me radhë nga Berisha e të tijtë, vetëm se ishin italisht. Duke tentuar t’i shesë sërish si ‘dorë e parë’. Dhe mbi të gjitha shqiptarët janë koshientë se është shpenzuar goxha për të bërë këtë ‘biznes’. Pra për të risjellë në Shqipëri akuza që janë konsumuar për gjithë ditët dhe vitet që ka falur Zoti në gjuhën shqipe në Shqipëri. Madje të servirura në atë farë feje, sa dhe vetë gazetari që ka ‘prerë’ dhe ‘qepur’ të gjitha thashethemet dhe të pavërtetat e mundshme sipas skenarit të parapërgatitur, qeshte me artikulimin që bënte po vetë ai. Nuk i besonte as vetë ato që thoshte, por biznesi është biznes dhe i duhej shkuar deri në fund. Pavarësisht se ishte koshient, siç e pohoi dhe vetë, se nuk kishte sjellë asgjë të re.
Madje me pasaktësitë që serviri emisioni i RAI3, duke filluar që me përmendjen live të thashethemeve që qarkullonin lart e poshtë, që as vetë nuk guxoi t’i quante fakte në përballjen me kryeministrin Edi Rama por iu referua si akuza të këtij apo atij, apo me mashtrimin e madh se sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave kishte refuzuar intervistën me RAI3, ndërkohë që përgjigjet e tij ishin dërguar para afatit të përcaktuar. Gjë që e pranoi dhe vetë gazetari i RAI3.
Dhe të mendosh se për furnizimin me këto gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra ishte angazhuar një armatë e madhe në Tiranë, që nga vetë ‘non grata’ i madh Berisha, një të dënuar me 17 vite burg për pastrim parash nga gjykatat shqiptare, ish zyrtarë të PS të cilët janë shpallur nga SPAK në kërkim ndërkombëtar por dhe gazetarë ‘solidë’ në përcaktimin e Ramës si armik e ish punonjës të drejtësisë të mbetur në ‘rrjetën’ e vettingut, tregon qartë se ishte një skemë që në fund të herës, pritej të godiste dhe vetë shqiptarët, jo vetëm qeverinë. Pikërisht në krenarinë e tyre, për t’ua ulur kokën. Pasi gazetari italian, përmendi fjalën më të ‘dashur’ për Berishën e të tijtë në përcaktimin e Shqipërisë si ‘narkoshtet. Akuzë që u tërhoq menjëherë nga gazetari i RAI3.
Dhe gjithë kjo nuk i shpëtoi Ramës, i cili nuk e kishte aspak të vështirë të ‘demontonte’ një për një të gjitha mashtrimet e ‘qepura’ shumë keq, pa lidhje me njëra tjetrën, që të besoheshin sëpaku nga ata ithtarë të Berishës, për të cilët ish kryeministri demokrat kishte shpenzuar goxha për t’ua sjellë në gjuhë të huaj. Të besoheshin sëpaku një pjesë e tyre dhe nga vetë gazetari italian që kishte marrë përsipër përcjelljen e këtyre gënjeshtrave të Berishës dhe të tijve në gjuhën e tij për publikun shqiptar.
Gazetari italian ra dakord me të gjitha reagimet e Ramës, duke arritur deri atje sa të deklarojë dhe vetë se s’kishte prova e fakte por kishte mbledhur vetëm akuza andej e këndej, pra thashetheme e duke zbuluar si padashje dhe burimin e tyre, vetë Berishën por pa e pranuar publikisht. Por ka qënë vetë Berisha që nuk zgënjen asnjëherë. Dhe këtë radhë, mori në mbrojtje emisionin e RAI3, duke akuzuar sëriush Ramën dhe duke vertetuar në mënyrë të hapur se është Berisha ai që ka sajuar gjithçka.
Ajo që mund të themi është se gazetari italian s’kishte asgjë në dorë për të bazuar “investigimin’ e tij, ishte si me thënë ‘me duar në xhepa’, po vërtitej vetëm me ‘furnizimin’ kallp të marrë nga Tirana. Dhe përballë kujt, përballë Edi Ramës që nuk fal në të tilla raste. Para të cilit pranoi se s’kishte prova e fakte, por vetëm thashetheme, por që puna ia donte që ta çonte deri në fund atë që kishte nisur. Qeshte dhe vetë, pasi pranonte gjithë argumentat e Ramës me të cilat ia rrëzoi tërë emisionin. Emision që e panë të gjithë shqiptarët, që për hir të së vërtetës s’janë më ata të para 10 viteve që ‘konsumonin’ të vërtetë çdo gjë që vinte nga jashtë. E kanë ngritur “stekën”.
Ndërsa vetë gazetarit italian i mbetën vetëm akuzat për Melonin, qëndrim politik ky, pasi gjithnjë ka dy palë në një marrëveshje mes dy vendeve. Siç është dhe ajo për emigrantët mes Ramës e Melonit. Ai në fund të herës tregoi se ishte kundër Melonit dhe mbante anën e opozitës italiane. Ndërsa teksa ka bërë një rrugë e dy punë teksa ka ardhur në Tiranë, është menduar se hajt, të ‘heqim dhe shpenzimet’ për rrugën, akomodimin dhe gjëra të tjera të këtij lloji, duke thënë ndonjë gjë dhe nga këto të opozitës shqiptare. Pasi kështu e duan shqiptarët, në gjuhë të huaj, s’duan investigime. ‘Biznes’ i pastërt me një fjalë, megjithëse ‘biznes’ i shkuar dëm për Berishën dhe opozitën. Gazetari i RAI3 tregoi se akuzat ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ishin të gjitha të ‘importuar’ nga Tirana, ku burimi kryesor ishte i papërsëritshmi i këtij lloji, Sali Berisha.
Madje ka mendje cinike që thonë se gazetari i RAI3 duke sjellë në gjuhën italiane gënjeshtrat e stërlodhura të Berishës dhe opozitës në Shqipëri, si dhe duke parë gatishmërinë e kryeministrit Rama për t’u përballur për këto çështje në këtë televizion publik, Rama ka një shkueshmëri tepër të lartë në Itali, për të shfrytëzuar rastin e për të rritur audiencën në ‘pikiatë’ deri më tani të këtij televizioni. Shifrat që kanë botuar për ndjekjen e emisionit nëse janë të vërteta janë tepër të larta. Dhe kryeministri Rama është në të drejtën e vet për ta mbajtur gjallë betejën me televizionin publik italian, RAI3. Eshtë një betejë që dihet se e ka të fituar që në krye të herës. Dhe betejat e fituara nuk braktisen, aq më tepër që pas murit ka vënë dhe lidershipin e opozitës, që zgjedh si ‘kalë beteje’ një kauzë për të bërë një betejë të humbur pa filluar. Këtë e tha dhe sot Rama!
Pavarësisht se Rama, i ka rrëzuar një nga një tërë ‘binarët’ që mbanin ‘ngrehinën’ e të pavërtetave të emisionit të RAI3, të pavërteta që i ka pranuar dhe vetë gazetari italian teksa tha se i ka me të dëgjuar, pra pranoi se janë thashetheme e akuza të stërthëna, vetë autorët e vërtetë të gjithë kësaj balte në kurriz të shqiptarëve të cilën e dërguan nga Tiranë dhe e servirën për publikun italian duke na marrë erzin me pa të drejtë, Berisha dhe të tijtë, vijojnë të mbahen në këtë kauzë.
Anipse Berisha bën sikur i beson gënjeshtrat e veta në versionin italisht, ka lajmëruar protesta para Parlamentit për këtë emision. Madje ka kërkuar dhe seancë për debat. Nuk merret vesh nëse do protestojë kundër gazetarit të RAI-t që dështoi para kryeministrit Rama në përballje me të, do protestojë sepse i duhet të kapet dhe pas ‘fijes së barit’ e kauzave të rastit për të treguar se është ‘gjallë’ politikisht përballë drejtësisë së re që po ia rendit dosjet nën hetim një nga një, apo po proteston për ‘biznesin’ e shkuar dëm.
Sepse të thuash se Berisha nuk e di që askush nuk i beson mashtrimet e tij, dhe sikur me ‘daltë’ t’i ngulë jo më t’i sjellë në gjuhë të huaj, këto nuk e pranon askush. Berisha e di si dreqi, por ia do puna të bëjë ndonjë zhurmë. Dhe pse të mos bëjë. Para ka, këtë se mohojmë, pasi dhe ‘non grata’ u shpall për korrupsion madhor, dhe në arrest shtëpiak është për korrupsion pasiv.
Ndaj askush të mos mendojë se Berisha do heqë dorë nga këto mënyra të të bërit opozitë. Thjeshtë do presim të shohim e dëgjojmë se në cilën gjuhë do t’i sjellë këtej e tutje mashtrimet e tij të përditshme, dhe të ‘konsumuara’ nga shqiptarët për vite e vite në gjuhën shqipe. Shpirti del me vesin thonë.
Huazuar nga Javanews.al