Aktualitet dhe Lajme

Basha: Cens i deformuar, Shqipëria nuk e meriton shpërbërjen, eksporti më i madh i Ramës, largimi i shqiptarëve

Share

Kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me rezultatet e censit të popullsisë dhe banesave i publikuar sot nga INSTAT.  Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se eksodi masiv i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë.

Sipast tij, censi i publikuar sot nga INSTAT ishte i arnuar, zvarritur, i deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës.

“Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti”, shprehet Basha.

“Eksodi masiv i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë, as thagmat korruptive që po i bëjnë gjëmën vendit, si skandali dramatik i Onkologjikut, apo i dhjetra zezonave të tjera që e kanë bërë vendin të pajetueshëm. Shqipëria nuk meriton shpërbërjen e saj, shpërbërjen e familjes, largimin e rinisë, plakjen e popullsisë. Që kjo hemoragji të ndalë, kërkohet një ndryshim i menjëhershëm dhe rrënjësor”, vijon Basha.

“Shqipëria meriton më shumë, prandaj ne kemi prezantuar përpara shqiptarëve një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë”, përfundon Basha.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button