Balluku nga Rruga e Arbrit: Kur të ketë dëborë do e mbyllim, 5 ditë në vit

Ajo tha se e kanë hapur dhe përpara afatit për të lehtësuar qarkullimin gjatë dimrit, por që drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në përdorimin e rrugës.

Belinda Balluku
Ministrja Balluku tha se kjo rrugë është një rrugë që të ‘therret’ për shpejtësinë pasi ka parametra evropiane, por shtoi se kjo gjë gjithsesi nuk duhet të ndodhë. Balluku u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të makinave që të bëjë kujdes gjatë qarkullimit, pasi rruga ende nuk ka përfunduar plotësisht. Ajo tha se e kanë hapur dhe përpara afatit për të lehtësuar qarkullimin gjatë dimrit, por që drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në përdorimin e rrugës.
“Po e hapim para afatit për të lehtësuar qarkullimin gjatë dimrit dhe padyshim jemi në kushtet e kantierit, kështu që duhet shumë kujdes nga drejtuesve të automjeteve përsa i përket kalimit këtu. Kjo është një rrugë në verilindje të vendit, ku shpesh ka edhe reshje dëbore, prandaj duhet të kemi shumë kujdes në përdorimin e rrugës. Jam me drejtor Qaton këtu, sepse do të marrin në dorëzim këtë aks për sigurinë rrugore dhe do ta monitoroni deri kur të jetë i përfunduar. Moti nuk na ndihmon shumë, por kaskadat e Drinit po mbushen. Ne kemi bërë dhe një monitorim për vitet e fundit dhe na rezulton se nuk bie dëborë më shumë se pesë ditë në vit dhe këto ditë që do të ketë reshje dëbore do të mbyllim “By Pass”-in. Maksimumi 5 ditë në vit dhe do të përdoret rruga e vjetër, por në ditët e tjera do të jetë totalisht i hapur. E kuptojmë që kjo është një rrugë e parametrave evropiane dhe thërret për shpejtësi, por absolutisht nuk duhet të ndodhë kjo gjë. Shoferët duhet të kenë kujdes në përdorimin e kësaj rruge. Kjo është një rrugë e re dhe me siguri do të duhet kohë sat ë ambientohen,”- tha Balluku.
Rruga e Arbrit ka 6 tunele, 5 nga të cilët janë përfunduar dhe njëri është ende në proces. Vetë kryeministri Rama ka deklaruar se më 29 nëntor do të bëhet zyrtarisht hapja e kësaj rruge për qarkullimin e mjeteve. Kreu i qeverisë u shpreh se e gjithë rruga është gati përveç një problemi gjeologjik në Qafën e Murrizit.
(F.m/dosja.al)