Aktualitet dhe Lajme

Arrestohet inspektori i Shëndetësisë, i bënte presion bizneseve dhe kërkonte ryshfet

Share

Një inspektor i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor është vënë në pranga nga policia me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme  pasi dyshohet se ushtronte presion ndaj bizneseve gjatë  kontrollit se nuk kishin plotësuar  dokumentacionin dhe se do të gjobiteshin me 1 milion lekë te reja  ose në të kundërt  do t’i mbyllej  aktiviteti.

Në këmbim të kësaj  inspektori kërkonte nga bizneset deri në  500 mijë  lekë ryshfet brenda 24 orëve.

Njoftimi i SPAK:

Njoftim për shtyp datë 25.05.2023
(Për interesa të procedimit penal Nr. 126 të vitit 2023)

Më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë informacion se një person i prezantuar si inspektor pranë Inspektoriatit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Sipas informacionit paraprak rezulton se, ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.

Sa më sipër, Prokuroria e Posaçme po më datë 24.05.2023, ka regjistruar kryesisht procedimin penal me Nr.126/2023 për konsumimin e elementëve të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit.

Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i shtetasit M.M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqindë mijë) lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.r.t/abcnews.al




Huazuar nga abcnews.al

Një kafe nga ju!

Back to top button