Aktualitet dhe Lajme

Arresti shtëpiak/ Dako kërkoi gjykim të shkurtuar, GJKKO vendos më 8 korrik nëse do ta pranojë ose jo

Share

Gjykata e Posaçme do të shprehet në seancën e 8 korrikut, nëse do pranojë apo jo kërkesat për gjykim të shkurtuar të bëra nga ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku.

Gjyqtarja Elsa Ulliri rrëzoi kërkesën e disa prej te akuzuarve të tjerë për shpalljen e moskompetencën lëndore dhe për dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Durrësit.

Një kërkesë të tillë e bënë Fatmir Ejupi, Ferzilet Hajdëri, Adnand Toçila, Diana Dedja, Bashkim Salillari dhe Hanza Reka. Pas rrëzimit të kësaj kërkese këta te pandehur dhe avokatet e tyre kërkuan gjykim të zakonshëm dhe ndarjen e çështjes nga Vangjush Dako.

Ndërkohë, prokurori Sotir Kllapi kërkoi rrëzimin e kërkesës

Avokatët vijuan me kërkesat e tjerat paraprake, ku u kërkua dhe mos pranimi si provë e një akt ekspertimi të bërë së fundmi nga prokuroria e posaçme, përmes një eksperti për shëtitoren.

Sipas avokateve, eksperti nuk ka licensë për të kryer këtë lloj ekspertimi.

Në këto kushte, gjyqtarja Ulliri u tërhoq për tu shprehur në seancën e radhës, në lidhje me kërkesat për gjykim të shkurtuar dhe për ndarjen e çështjes.

Pas përfundimit të seancës, Vangjush Dako u shpreh se ka kërkuar gjykim të shkurtuar pasi nuk ka prova të reja dhe mund të zgjidhet çështja në këtë fazë.

Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.

Dako u la në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me vendim të gjyqtares Davidhi./m.j


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button