Kush e vrau Urim Fikun? I biri mohon krimin por nuk shpjegon pse fshehu armën dhe sëpatën e gjakosur

Share

56-vjeçari Urim Fiku është qëlluar pas shpine me një plumb pistolete, teksa në kokë është goditur me një mjet prerës

Përgjegjësi i OSHEE në zonën e Bulqizës, Gazmir Fiku ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për vrasjen e të atit, Urim Fiku. 

Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë,  i riu ka mbajtur qëndrim mohues, duke pretenduar fillimisht se kur ka ndodhur ngjarja ai nuk ishte në banesë, por në punën e tij. Për t’i bindur hetuesit për këtë version, Gazmir Fiku, u ka kërkuar oficerëve të kontrollojnë pamjet filmike të OSHEE dhe të shikojnë kohën e prezencës së tij në ambientet e punës. 

Por gazetari Elton Qyno ka ngritur dyshime të reja mbi ngjarjen. 

Sipas Qynos, Gazmir Fiku nuk i jep shpjegim shumë pikëpyetjeve, duke filluar nga fshirja e pamjeve filmike të DVR-së së kamerave të shtëpisë, gjetja e rrobave të prera me gërshërë dhe hedhur në WC-në e banesës, sëpata me njollat e gjakut, arma e krimit pistoletë me një fishek në fole, gëzhoja e gjetur në vendngjarje dhe versioni imagjinar i ariut. 

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se gjatë ditës së djeshme Gazmir Fiku, u ka kërkuar hetuesve që të lenë të lirë nënën e tij, Sadeten, me qëllim të merrej me ceremoninë e varrimit. Sipas tij, ai ishte në dispozicion të hetimit por nënën policia duhet ta linte të lirë. 

Fiku ka treguar se ishte në punë kur është njoftuar me telefon nga nëna e tij për ngjarjen e një sulmi nga ariu të babait të tij, që kishte dalë për të kullotur bagëtitë. 

Zyrtari i OSHEE ka treguar se është larguar menjëherë për të parë se çfarë ka ndodhur dhe kur ka shkuar në vend, ka konstatuar babain e tij pa shenja jete me një plagë të madhe në kokë, duke menduar se e kishte sulmuar ariu, ndaj e kanë dërguar për vizitë në spitalin e Bulqizës. 

Pyetjes se përse ja kishin hequr rrobat e trupit dhe i kishin hedhur në WC-në e shtëpisë, Gazmir Fiku, iu përgjigj duke thënë se heqja e rrobave është bërë me qëllim ndërrimin e tyre pasi ishin gjakosur shumë dhe se do e çonin në spital. Ndërsa hedhjen e rrobave në tualet nuk ka qenë në gjendje t’i përgjigjet, pasi këtë gjë sipas tij mund ta ketë kryer nëna e tij, Sadete. 

Po ashtu, Fiku nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë se kujt i përket arma tip pistoletë dhe kush a qëlluar në drejtim të babait të tij, Urim Kurti. Për më tepër ai nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet se pse është kujdesur personalisht për të fshehur armën e zjarrit në ambientet e jashtme të shtëpisë. 

Ndërsa për pyetjen se përse sëpata e druve ishte e gjakosur, Gazmir Fikuka pretenduar se disa ditë më parë, babai kishte therur një kec. Megjithatë, ai nuk tregoi se ku ishte therur keci, ku ishte lëkura e tij, apo mbetjet. 

Fiku i është shmangur përgjigjes duke treguar se nuk kishte dijeni se ku i therte kecat babai, pasi ai nuk interesohej shumë. Ndërsa pyetjes për fshirjen e pamjeve filmike të kamerave të shtëpisë, ai ka pohuar se kamerat nuk kanë punuar për disa kohë. 

Sipas policisë, fillimisht 56-vjeçari Urim Fiku është qëlluar pas shpine me një plumb pistolete. Ekspertët kanë saktësuar oficerët e hetimit se plumbi ka qenë tejshkues, duke hyrë në pjesën e pasme dhe më pas i ka dalë në gjoks. 

Por veç kësaj plage të rëndë të shkaktuar me armë zjarri, ekspertët kanë konstatuar në kokën e viktimës Urim Fiku dhe një plagë të madhe në kokë, e cila ishte shkaktuar me një mjet prerës të fortë që dyshohet sëpatë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.  Mostra gjaku që prej ditës së djeshme, janë dërguar në laborator për të kryer ekzaminimet krahasuese biologjike të gjakut. 

Për të mbuluar plagën e armës, gruaja dhe i biri kanë zhveshur Urim Fikun, duke i veshur rroba të tjera. Ndërsa rrobat që ia kanë hequr, djali i tij Gëzimi, i ka prerë me gërshërë dhe më tej ia ka hedhur në tualetin e shtëpisë. 

Këto rroba tashmë janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Si provë është sekuestruar dhe arma e zjarrit, të cilën e ka treguar vetë djali i viktimës, Gëzim Fiku. 

Nënë e bir tashmë janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur akuza të rënda si “Vrasje për shkaqe të marrëdhënies familjare” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit”.  Pritet që të dy të dalin në ditët në vijim para gjykatës së Dibrës, për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg” që do kërkojë prokurori i çështjes. 


Start News

Reklama
Back to top button