
Një ngjarje tragjike është regjistruar në Brazil, ku një 26-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i shtatë i një hoteli, në momentin kur dritarja ku ishte mbështetur është shkëputur papritur
Ngjarja ndodhi në orët e para të 3 nëntorit, në hotelin “Rio Poty”, në qytetin São Luís, në shtetin Maranhão. Viktima është identifikuar si Renata Rebecca Negrão Saldanha. Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte mbështetur në dritaren e dhomës, por ajo është shkëputur papritur, duke bërë që 26-vjeçarja të binte nga një lartësi e madhe dhe të humbiste jetën.
I dashuri i saj, Leonardo Augusto Pinto Franca, u shoqërua në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rrethanat e ngjarjes. Megjithatë, ai u la i lirë pak më vonë, pasi policia përjashtoi përfshirjen e tij dhe e konsideroi rastin një aksident.
Çifti ndodhej në qytetin São Luís për të marrë pjesë në një turne pokeri. Sipas raportimeve, të dy kishin konsumuar alkool përpara incidentit.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e ambienteve të hotelit, veçanërisht mbi kushtet teknike të dritares që u shkëput dhe shkaktoi rënien fatale të 26-vjeçares.
